Mbledhja e komisionet hetimor për sistemin TIMS është ndërprerë përkohësisht, me socialistët që raportohet se kanë braktisur sallën pas rreth dy orëve dëshmi me dyer të mbyllura të Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.
Në sallë për momentin ndodhen vetëm ligjvënësit demokratë, për të cilët kreu i komisionit Ervin Salianji tha se do të vijojnë punën pavarësisht kërkesave absurde të socialistëve.
Pas ndërprerjes, Salianji tha për mediat se mbledhja është çelur me kuorum të plotë, pasi deputetët socialistë votuan pro kërkesës së Nasip Naços që ministri Balla të pyetej me dyer të mbyllura për shkak se ka informacion të klasifikuar, edhe pse në sallë ndodhen 5 ligjvënës të majtë pa certifikatë sigurie dhe po ashtu disa demokratë.
“Ishit që të gjithë me mediat e hapura, sesi PS kërkoi që mbledhja të zhvillohet me deputetë që nuk janë të pajisur me certifikatë sigurie, por mbledhja të jetë ë mbyllur për shkak se ka informacion të klasifikuar. Po deputetë që votuan këtë kërkesë, thonë tani që ta shtyjmë mbledhjen sepse nuk kemi certifikatë sigurie. Por ne kemi vendim të ndërmjetëm. Unë nuk e shkel ligjin dhe nuk marr dot përsipër që të bëhem shkelës i ligjit dhe të shpërdoroj detyrën që PS të mbulojë ndonjë gjë që ka për të mbuluar. Është vendimmarrje politike siç e patë ju.”
Salianji më tej tha se PS po tërhiqet duke bojkotuar punën e komisionit për shkak të frikës nga përballja me ish-shefin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, për të cilin prokuroria ka pranuar kërkesën e komisionit hetimor për të dëshmuar edhe pse ndaj tij rëndon masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
“Tani u bojkotua për momentin nga PS po nga frika e përballjes. Jeni dëshmitarë si media që dëshmitarë të tjerë janë duke pritur në radhë për të ardhur për të dëshmuar. Ka një vendim të prokurorisë, e cila ka sjellë sipas ligjit, një prej dëshmitarëve të kërkuar nga ne, Ervin Muça, i cili po pret në kat të parë. Sapo e morën vesh kërcyen nga belaja dhe nuk vijnë sepse e dinë që ka një vendim të prokurorisë që përcakton qartë konturet ligjore të kësaj çështje dhe duan ta fusin në kalenda për të kos u përgjigjur. Ne do të jemi këtu. Mbledhja është e hapur sepse e përcakton rregullorja dhe ligji që çelja bëhet me kuorum dhe vazhdimi i mbledhjes bëhet sipas ligjit.”
Më tej ai ua bëri të qartë kolegëve socialistë në komision por edhe ministrit Balla, për të cilin tha se dëshmia ende nuk ka nisur, se do t’i kallëzojë nga mbrëmja e sotme në SPAK, në rast se braktisin mbledhjen dhe dëshmitarët.
“Kush nuk e respekton ne do të vazhdojmë me depozitimin në SPAK që sot në mesnatë për cilindo dëshmitarë apo persona që braktisin detyrën. Nëse e shpërdorojnë detyrën që e lejnë rrugëve dhe dëshmitarin që e kanë nxjerrë nga shtëpia, është në të drejtën e tyre t’i thonë burgut hapu. Ndodhi për koincidencë apo fat të tyre që siç kanë ndërhyrë në datë dy i 8 nga ora 11:00 deri në orën 5 të orës tjetër në sistemin TIMS, ti rastisë prapë në të njëjtin orar. Mbledhjen do ta vazhdojmë pas 5 minutash me përfaqësuesit e PS ose jo. Dëshmitë merren pasi është hapur dhe çelur mbledhja. Kush ka frikë nga ata që i kanë futur në ato veprimtari që nuk duhet t’i fusnin, mirë është që të vijnë këtu. Meqenëse ministri i Brendshëm ka kërkesë të caktuar dhe thotë që kamë informacione të klasifikuara dhe në disa prej pyetjeve thotë, kemi propozuar ta shtyjmë mbledhjen me ministrin deri në një moment tjetër. Ta pajisen me certifikatë sigurie deputetë e PS, që janë 5 që nuk e kanë marrë, dhe disa kolegë tanët, dhe ta zhvillojmë mbledhjen me dëshmitarët e tjerë. PS s’e pranon as këtë se kanë frikë se ka ardhur Muça aty poshtë. Duke qenë se e dinë se ça kanë bërë, kanë frikë të përballen. Kjo është pse e duan në errësirë, me drita fikur, mbledhjen me dyer të mbyllura. Ministri le të vijë një ditë tjetër. Kjo mbledhje të zhvillohet në datën 28.”
Ndërkohë, drejtori i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka mbërritur në Kuvend dhe është në pritje të nisjes së mbledhjes, ku do të pyetet si dëshmitari i dytë në radhë pas Taulant Ballës. (A2 Televizion)