Diaspora në zgjedhje, opozita kërkon regjistrim në KQZ, votë me postë private

Nga Fjorela Beleshi
15 Maj 2024, 18:01 | Politikë

Në më shumë se dy orë takim, me prezencën e kryekomisionerit të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mazhoranca dhe opozita duket se gjetën dakordësi sa i përket votës së diasporës dhe shtrirjes së votimit elektronik edhe në zona të tjera të vendit.

Grupi i dialogut dëgjoi kryekomisionerin mbi mundësitë që KQZ ka për të realizuar votën e shqiptarëve nga shteti ku jetojnë, teksa Celibashi u vetofrua të marrë përgjegjësinë e regjistrimit online të zgjedhësve që duan të votojnë nga jashtë territorit të vendit.

Këtë ide e përkrah dhe PD e Rithemelimit, duke e cilësuar si një mënyrë për t’i shpëtuar kontrollit të votës nga ana e qeverisë shqiptare nëpërmjet e-Albania, ndonëse vetëm pak kohë më parë kishin kërkuar një riformatim të KQZ-së për ta rikthyer institucionin në formulën e mëparshme.

Po si duhet të votojnë shqiptarët me postë apo në mënyrë elektronike?

Kryekomisioneri i sheh si zgjidhje të dy mekanizmat, ndërsa opozita është për një gërshetim të elektronikës dhe postës private, në mënyrë për t’i dhënë mundësi edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë pa dokumente të rregullta të përfshihen në procesin zgjedhor.

Socialistët duan ta shtrijnë votimin elektronik në të gjithë vendin. PD kërkon më shumë garanci përmes një auditimi ndërkombëtar, ndërsa KQZ mendon që për zgjedhjet e ardhshme të zbatohet vetëm në disa qarqe.

Në përfundim të mbledhjes, përfaqësuesit e mazhorancës nuk preferuan të flasin me median. Në mbledhjen e radhës, drejtuesi i KQZ do t’i prezantojë grupit të dialogut projekt idenë konkrete se si mund të realizohet regjistrimi online dhe procesi i votimit të emigrantëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos