Një teatër të mirë-orkestruar e ka cilësuar Gazment Bardhi, mosmarrëveshjen e fundit mes Grupit të Partisë Demokratike zyrtare dhe mazhorancës.
Më herët gjatë ditës së sotme, Sekretari i Përgjithshëm, Enkelejd Alibeaj deklaroi se PD e mirëpret vendimin e mazhorancës për t’u tërhequr nga amendamenti që krijonte lehtësira për të dënuarit me vendim të formës së prerë nga GJKKO.
Kjo dakordësi, tregon sipas Bardhit se e gjithë situata e krijuar ishte një skenar për të zhvendosur vëmendjen nga protesta e opozitës.
“Bëjmë sikur zihemi. Por, ky është ky roli i opozitës,” shtoi Bardhi.
Deklartën, Bardhi e bëri pas mbledhjes disa orëshe të Grupit Parlamentar në seli. Kreu i Grupit deklaroi se gjatë mbledhjes u diskutua mbi nevojën e një parlamenti funksional.
“I bëj thirrje Nikollës që të kthejë kushtetueshmërinë në kuvendin e Shqipërisë. T’i japë shansin Shqipërisë që të ketë institucione funksionale duke nisur nga Parlamenti.”
Gjatë ditës së nesërme, deputetë të Grupit të PD-së do të dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të shfuqizuar ligjin për taksimin e profesioneve të lira.
Grupi i Rithemelimit i bëri thirrje dhe kreut të shtetit Bajram Begaj që të kthejë mbrapsht ligjin për zonat e mbrojtura. (A2 Televizion)