Kryeministri Edi Rama ka publikuar një letër që i ka dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pas vizitës që ky i fundit zhvilloi në Tiranë dhe vlerësimet që ai shprehu gjatë qëndrimit të tij disa orësh.
Kreu i qeverisë vlerëson marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara teksa hedh idenë që samiti i radhës i NATO në vitin 2027 të mbahet në Tiranë, për të dhënë një mesazh të qartë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Besoj se ka ardhur momenti që aleanca të zhvillojë një samit në Ballkanin Perëndimor, për herë të parë. Ashtu si biseduam në Tiranë, dua të rikonfirmoj qëllimin e Shqipërisë për të pritur samitin e NATO në vitin 2027, menjëherë pas atij që do të mbahet në Turqi. Mbajtja e këtij samiti do të ishte me domethënie të madhe si për Aleancën dhe për Ballkanin Perëndimor dhe do të jepte një mesazh të fortë për rëndësinë strategjike që ka ky rajon për NATO”, shkruhet mes të tjerash në letër.
(A2 Televizion)