Sali Berisha nuk u ndal as këtë të diel të mbajë fjalimin e tij nga ballkoni i shtëpisë ku po qëndron në arrest, ndërsa me dhjetëra mbështetës e përkrahën atë në rrugë.
Ai u shpreh këtë të diel se “qeveria e krimit e ka mbushur paraburgimin me të pafajshëm, sepse nuk ka akuzë mbi ta, dhe arrestohen vetëm e vetëm për statistika”.
“Jashtë dritave të qytetit, në burgjet e këtij vendi është ulur mesjeta. Shqipëria sot është i vetmi vend në Europë, botë, që 62% të të gjithë të burgosurve i ka me paraburgim. Ky është dhunim masiv i të drejtave të njeriut. I ka me paraburgim se janë të pafajshëm, sepse nuk ka akuzë mbi ta, sepse arrestohen vetëm e vetëm për statistika. Se ky ministër që është turpi i ministrit, turpi i njeriut, që është i lidhur kokë e këmbë me krimin, urdhëron dhe arrestohen njerëz pa asnjë lidhje me krimin, i plasin në burgje dhe i lënë aty.
Ju denonconi këtu një diktaturë, e cila njëlloj si në Rusi, Tunizi, Ugandë, arreston si person nën hetim, pa asnjë provë, fakt apo dokument, kryetarin e PD-së. Arreston tjetrin pse ka marrë 410 metra tokë të veten, trashëgim të familjarëve të tij. Ju denonconi një diktaturë të shëmtuar që ka krijuar për vete, drejtësinë më të shëmtuar më të shpërfytyruar që ka pasur dhe ka Shqipëria apo ndonjë vend tjetër”, tha Berisha. (A2 Televizion)