Meta: Paratë nga skema e pensioneve do të përdoren për të larë borxhet e Shqipërisë

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2024, 14:44 | Politikë

Ish-presidenti Ilir Meta sulmoi qeverinë për vendimin e saj për të rialokuar 102 milionë euro për investime publike dhe për uljen e borxhit.

“Shqetësimi më i madh i Partisë së Lirisë është që 76 milionë euro që janë grumbulluar nga skema e pensioneve do të përdoren për të larë borxhet e Qeverisë e cila dihet që vjedh me inceneratorë fantazmë që nuk ekzistojnë, me rrugët e florinjta që shemben si ajo që ka bllokuar dhe qarkullimin midis Korçës dhe Ersekës, me PPP-të e pafundme shumica e të cilave janë në hetim dhe me tendera sekret. Në vend që këto para të cilat janë grumbulluar nga skema e pensioneve të përdoreshin për rritjen e pensioneve dhe për mbështetur pensionistët për mbulimin e shpenzimeve të tyre më jetike për ushqimet dhe ilaçet ato do të shkojnë përsëri tek PPP-të”, tha Meta në një konferencë për mediat.

Ai e quajti qeverinë Rama të papërgjegjshme ndaj kategorive më të vuajtura dhe vulnerabël të shoqërisë. “Pensionistët dhe grupet në nevojë po varfërohen gjithmonë edhe më shumë si për shkak të mos rritjes të duhur të pensioneve dhe përfitimeve sociale, edhe për shkak të rritjes së pakufishme të çmimeve dhe kujdesit të munguar shëndetësor. “Rilindja” e cila që vitin 2013 premtoi pensione më të larta, në 11 vite bëri pikërisht të kundërtën për këtë kategori që aq shumë ka kontribuuar për ndërtimin e vendit”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos