Bullgaria nuk paraqet asnjë pengesë për integrimin europian të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndryshe nga qasja e ndjekur për Maqedoninë e Veriut.
Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, Kryetari i Parlamentit Bullgar, Rosen Zhelyazkov, i shprehu homologes shqiptare, Lindita Nikolla mbështetjen e Sofjes në proceset integruese të vendit.
“Anëtarësimi në NATO dhe perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në BE janë një bazë solide për pikëpamjet e përbashkëta të dy vendeve për zhvillimin e Evropës dhe të rajonit. Bashkë me mbështetjen tonë politike, Bullgaria është e gatshme të ofrojë asistencë eksperte në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.”
Kryeparlamentari Bullgar u shpreh se ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë nuk ka asnjë çështje të hapur, por i rikujtoi Lindita Nikollës miratimin e akteve nënligjore sa i përket zbatimit të të drejtave të minoriteteve.
“Ne besojmë se Shqipëria do të mbajë pozicionin e saj të qëndrueshëm për të garantuar plotësisht të drejtat e pakicave kombëtare dhe mezi presim miratimin dhe zbatimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit të miratuar në vitin 2017.”
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, nga ana e saj vlerësoi rolin e pakicës bullgare në Shqipëri si një urë lidhëse bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.
“Vendet tona i konsiderojnë pakicat kombëtare si urë përmirësimi i miqësisë së gjatë dhe të qëndrueshme, si dhe një aset për vlerat dhe shoqëritë tona.”
Gjatë vizitës së tij, kryeparlamentari bullgar u prit edhe nga Presidenti Bajram Begaj, në një takim ku vlerësuan bashkëpunimin e mirë ndërmjet dy vendeve. (A2 Televizion)