“Qytetarët që ende nuk e kanë ndarë mendjen duhet të dalin një orë e më parë. Ky vend o ndryshon tani, o nuk do ndryshojë për gjeneratën që ne jemi gjallë”.
Kështu u shpreh politologu Afrim Krasniqi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, duke folur për protestën që është tashmë në ditën e saj të 25-të.
“Edhe në Partinë Socialiste, si në çdo parti tjetër, ka njerëz të mirë, ka intelektualë, ka njerëz të pakorruptuar, si është e mundur që askush nuk flet? Si është e mundur që nuk thotë: “Ej, na bëre me turp”. Se do vijë një ditë që do bëhen të gjithë me turp, do vijë një ditë që do të turpërohen këta njerëz dhe media do ia kujtojë këtyre njerëzve se ditën kur Shqipëria u ngrit në revoltë për të sjellë një politikë më të pastër, ju u fshehët, ju u bëtë pjesë e të keqes, ju u identifikuat me regjimin dhe historia më negative e këtij vendi është dita kur qytetarët kanë heshtur ose kanë bashkëpunuar me çdo kusht, pa zë dhe pa figure, me regjimin”, tha Krasniqi.
“Ditën që kemi takuar Ramiz Alinë në vitin 1990, kjo ka qenë teza: “Mos dilni se do na dëmtoni ekonominë”. Ditën kur janë ngritur qytetarët në këtë vend, intelektualë pa fund, thonte “mos bëni zgjedhje se na dëmtoni ekonominë”. Mendoj që shqiptarët po paguajnë çmim të lartë nga mungesa e demokracisë, jo mungesa e ekonomisë dhe ca biznesmenëve që vijnë nga zero, marrin me VKM pasuri publike, marrin kontrata publike, na bëhen milionerë me buxhetin e shtetit. Kështu që, teza ekonomike nuk mendoj që vlen në këtë rast dhe është spekullative në këtë lloj këndvështrimi. Nuk mund t'i themi qytetarëve shqiptarë që nëse ju dilni protestoni për demokraci dhe për shtet të së drejtës ju po shkatërroni ekonominë shqiptare dhe të ardhmen tuaj. Mund të ndodhë që ata të kenë të drejtë dhe mund të ndodhë që ekonomia dhe Shqipëria të përfitojë shumë më tepër, siç ka ndodhur në 1992 dhe më vonë. Ajo çfarë më bën përshtypje është që të gjithë i gjykojnë protestuesit dhe askush nuk doli të pyeste kush ishte personi që e cenoi flamurin e Izraelit. Si është e mundur që s'u bë hetim? Si është e mundur që qytetarëve protestues u shkohet në tre breza në CV personale? I kërkohet çfarë ka bërë kur ka qenë i vogël, çfarë ka bërë familja dhe ditën që ndodh një incident diplomatik nuk ka asnjë hetim, nuk ka një deklaratë publike, nuk ka një sqarim zyrtar për këtë, por ka një gjyq publik që po na mbrokan Izraelin ata që kanë vrarë, kanë ekzekutuar shqiptarët që kanë strehuar hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore, se i kanë quajtur bashkëpunëtorë të fashizmit. Kështu që, historia e Shqipërisë nuk është kaq bardhë e zi, është shumë më komplekse. Sot nuk është problemi të jemi pro apo kundër, nuk kemi pse të jemi pro apo kundër. Unë mendoj se duhet të jemi njerëz të arsyeshëm dhe një njeri i arsyeshëm duhet ta gjejë veten tea jo çfarë ka të arsyeshme te kjo protestë. Dhe arsyeja te kjo protestë është nevoja për të kthyer shpresën në këtë vend, që gjërat mund të ndryshojnë dhe kjo është merita më e madhe e kësaj proteste. Në 90-ën kemi qenë me shpresa të mëdha, por të varfër. Sot jemi më të pasur, por pa shpresë dhe këta kthyen shpresën. Dhe ditën që ne ta marrim shpresën e tyre në këtë moment dhe të marrim një paketë propozimesh nga politika për ndryshimet e kërkuara. Por, të thuash “hajdeni në rresht para meje, hajdeni kush do të flasë”, të akuzosh popullin tënd, të akuzosh Kosovën që përfshihet në punët e Shqipërisë… Kur edhe sot kryeministri shpërndau një foto me një person të Kosovës, duke e përdorur atë kundër protestuesve në Shqipëri... Ky është një paradoks. Kjo është një ftesë që qytetarët që ende nuk e kanë ndarë mendjen duhet të dalin një orë e më parë. Ky vend o ndryshon tani, o nuk do ndryshojë për gjeneratën që ne jemi gjallë. Dhe kjo është ndoshta dilema më e madhe që duhet të ketë në Shqipëri. Dhe këta pastaj që ndihen komod se janë në pushtet, kanë tre privilegje dhe e përdorin këtë për arsye personale, na shpikin teori kundër protestuesve, më vjen keq, janë jashtë kohe, janë demode, janë pengesë për këtë vend, janë pengesë për të ardhmen dhe deri diku janë pjesë e përgjegjësisë publike për pengmarrjen që po i bëhet edhe vendit, edhe shoqërisë, edhe të ardhmes euroatlantike të Shqipërisë. Në asnjë nga mitingjet nuk keni parë as kundër Presidentit Trump, as kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, as kundër Bashkimit Europian. Dhe kur ministrat dalin e thonë “93% e shqiptarëve duan integrimin”, janë këta shqiptarët që ju po i akuzoni si antieuropian. Kjo është rinia. Ti s'mund t'i thuash, “unë jam e ardhmja e këtij vendi”, por ama të ardhmes që është në rrugë, rinisë, t’i thuash “ju nuk keni të drejtë, ju jeni pengesë për këtë vend”, shtoi Krasniqi. (A2 Televizion)