Reforma Territoriale, Meta flet për dështim: S’ka decentralizim dhe ulje kostosh

Nga Anesti Barjamemaj
1 Mars 2024, 14:48 | Politikë

Reforma Territoriale nuk ka kryer misionin e saj për të cilin u miratua. Ky ishte thelbi i tryezës së organizuar nga Partia e Lirisë, ku u analizuan faktorët që – sipas organizatorëve - kanë ndikuar në mosarritjen e qëllimeve të shpallura në vitin 2014.

Ilir Metës, që thirri këtë tryezë, ishte njeriu që i dha votat Edi Ramës për të miratuar reformën një dekadë më parë, por dështimin e saj, ia faturon bojkotit të opozitës së udhëhequr nga Lulzim Basha, që atëherë refuzoi të bëhej pjesë e diskutimeve.

“Situata është dramë e jashtëzakonshme, drama vjen nga bojkotimi i reformës. Më vjen ta them, por ka qenë bojkotim i qëllimshëm në funksion të këtij projekti centralizues dhe autoritarist të Edi Ramës”.

Sipas tij, pasojat e këtij bojkoti po shihen sot, ku pushteti vendor nuk është decentralizuar dhe nuk kaluar kostot.

 “Indeksi i decentralizimit fiskal në vitin 2014 para reformës territoriale ka patur nivelin më të lartë në 22.4, nivel ky që konstatohet në ulje pas reformës territoriale, duke arritur në 19.0 në vitin 2019, në 21.0 në vitin 2020 dhe në22.1 në vitin 2021. Si rrjedhim, konstatohet që qeveria qendrore pas reformës territoriale ka rritur kontrollin financiar vendimmarrës duke zvogëluar autoritetit financiar te qeverisjes vendore”.

Nga analiza e kryer nga Partia e Lirisë rezulton se tashmë bashkitë kanë shtuar dhe kostot për pagat duke rënduar buxhetin e shtetit.

Sipas Metës, shpenzimet e personelit të njësive të vetëqeverisjes vendore janë rritur, pasi ka pasur një shtim të të punësuarve.

“Nga36% të shpenzimeve totale në vitin 2013, shpenzimet për paga zënë mbi 43% të totalit të shpenzimeve në vitin 2022. Numri i të punësuarve është rritur në vazhdim. Numri i punonjësve krahasuar me vitin 2015 është rritur në 17038 vetë ose rreth 87%”.

Një tjetër objektiv që nuk është arritur sipas Ilir Metës është edhe autonomia vendore. Sipas tij, qytetarët tashmë nuk po marrin shërbime më të mira ndaj dhe propozoi edhe disa ndryshime ligjore.

“Rritjen e autonomisë fiskale të pushtetit vendor, ndërmjet rishikimit të modelit të ndarjes së të ardhurave kombëtare. Rritja e kapacitetet vendimmarrëse të pushtetit vendor mbi të ardhurat e veta. Rritja e kapacitetit financiar të qeverisjes vendore duke rritur të ardhurat dhe në formën e transfertes të pakushtëzuar nga 1% të PBB që marrin sot si transfert e pakushtëzuar të rritet minimum në mbi 2% të PBB. Krijimi i një fondi investimi të veçantë për pushtetin vendor”.

Meta deklaroi se Partia e Lirisë do të kërkojë dhe vendosjen me ligjtë referendumeve lokale si zgjidhje për të gjitha çështjet që cenojnë autonominë e pushtetit vendor dhe permiresojnë standardin e jetesës të qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos