Sekretari britanik, pak orë në Tiranë, Cameron me Ramën, luftë emigracionit dhe investime në hekurudhë

Nga A2 CNN
22 Maj 2024, 15:15 | Politikë

Britania e Madhe synon të jetë më e pranishme në Ballkanin Perëndimor, si përmes bashkëpunimeve dypalëshe ashtu edhe me investime direkte.

Ky ishte mesazhi kryesor i përçuar në vizitën pak orëshe në Tiranë i Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron. Në takimin me Edi Ramën, duket se ngjyrat mbi tavolinën e punës së Kryeministrit i tërhoqën vëmendjen aq sa të nxirrte telefonin për të bërë disa foto.

Ndërsa në një deklaratë për media bënë publike edhe gatishmërinë britanike për të investuar në hekurudhën që lidh Shqipërinë me Kosovën me një fond prej 4 mld paundesh.

Një nga problemet që shqetëson Londrën lidhet me emigracionin e paligjshëm dhe për këtë arsye i kërkohet palës shqiptare që të thellohet frenimi i këtij fenomeni duke luftuar bandat që merren me trafikimin e emigrantëve.

Ngjashëm me SHBA-në dhe BE-në, Cameron e bëri të qartë se Britania synon gjithashtu të lërë gjurmën e saj në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Komplimentet e ndërsjella nuk i kursyen, teksa sekretari i jashtëm britanik, i detyruar të largohej si Kryeministër pas referendumit për Brexit, nënvizoi jetëgjatësinë e pushtetit të Edi Ramës.

Agjenda e parashikuar e Sekretarit të Jashtëm Britanik në Tiranë pësoi ndryshime të papritshme, duke anuluar jo vetëm takimin me Presidentin Bajram Begaj, por edhe një ndalesë te Piramida, vend që kishte marrë vëmendjen kryesore të homologut të tij amerikan kur vizitoi Shqipërinë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos