Deputetët demokratë të përjashtuar shkuan herët në Kuvend, në përpjekje për të marrë pjesë në të vetmin komisionin parlamentar që tentoi të mblidhet fizikisht, por që në oborr u ndalën nga garda.
Pas tentativës së dështuar për të hyrë në godinë, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati u larguan nga Kryesia. Por, ishin kolegët e tyre që po përgatisnin protestën në sallën e Komisionit për Çështjet Europiane, i njohur ndryshe si Integrimi. Demokratja Jorida Tabaku, e cila duhej të drejtonte mbledhjen, ia kishte lënë stafetën nënkryetares socialiste Etilda Gjonaj, e cila arriti të zhvillonte diskutime të qeta vetëm për pak minuta, me praninë e kolegëve të saj të mazhorancës dhe demokratit Kreshnik Çollaku, që përkrah linjën e Lulzim Bashës.
Nuk zgjati shumë dhe deputetët mbështetës të Berishës dhe Bardhit nisën protestën. Me tone të larta, arritën qëllimin për të bllokuar mbledhjen. Kur u duk se aksioni i opozitës përfundoi, një debat i nisur mes Dashnor Sulës dhe Kreshnik Çollakut u agravua në korridor. Nuk munguan as fyerjet mes tyre, që më pas përfunduan gati në konfrontim fizik.
Falë ndërhyrjes së Gardës dhe deputetëve të tjerë, debati mes tyre u shua. Nga selia blu, Kreshnik Çollaku, teksa e quajti të turpshëm incidentin me Dashnor Sulën, nuk përjashtoi mundësinë e një padie ndaj kolegut të tij demokrat.
(A2 Televizion)