I rrethuar nga policët dhe me xhaketën e hedhur mbi kyçe që të mos i dukeshin prangat, Ilir Beqaj kaloi pragun e Kuvendit, këtë herë jo si deputet, siç ishte mësuar prej vitesh, por si dëshmitar i thirrur në Komisionin Hetimor të koncensionit të sterilizmit.
Teksa Beqaj ngjiste shkallët e Kuvendit, në komision kishin nisur debate, ku demokratët parashtuan kërkesën e tyre të përsëritur, shtyrjen e afatit të punës. I shoqëruar nga uniformat blu, por i paprangosur, Beqaj zuri vend në sallë dhe parashtroi kërkesën e tij: “Dua të bëj prezantim me video”.
Kjo kërkesë e tij shkaktoi debate mes palëve, duke e futur në ngërç punën e komisionit hetimor, shkruan A2 CNN.
Për më shumë se 4 orë, Ilir Beqaj qëndroi si spektator në sallë, duke dëgjuar replikat në seri mes anëtarëve të komisionit që hera-herës ishin të tensionuara. Në debat u përfshi dhe ish-ministri, të cilit ende zyrtarisht nuk i ishte dhënë fjala.
“Mos më thuaj mua i shkreti. Nuk dua asnjë konsideratë personale nga ju”, i tha Beqaj kryetares së komisionit Albana Vokshi.
Mungesa e dakordësisë detyroi disa herë kryetaren e komisionit Albana Vokshi që të ndërpriste mbledhjen, por as pushimet e gjata nuk sollën reflektim.
“Mua më vjen keq që e nxorët atë të shkretin nga burgu, me pranga në duar, vetëm për të bërë show. Ju nuk doni dëshmi sepse doni të fshihni vjedhjet e të rritet korrupsioni. E sotmja ishte skenar i përgatitur”, deklaroi Vokshi.
Dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shty për të mërkurën pas 9 orë e gjysmë debat mes përfaqësueve të qeverisë dhe opozitës. Shkak u bë kërkesa e Beqajt për të prezantuar deklaratën para komisionit hetimor për Shëndetësinë në formatin “power point”, por kërkesa u refuza nga opozita.
(A2 Televizion)