Në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Këshillit Europian, António Costa, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët nëse do të vijojë punën për arritjen e premtimit të bërë gjatë fushatës për integrimin e Shqipërisë në BE brenda 2030, apo kjo do të ngelet në kuadrin e një slogani elektoral.
Rama tha se ai i qëndron objektivit që ka vendosur për ta ulur Shqipërinë në tryezën e vendeve anëtare brenda këtij afati kohor, po nënvizoi se duhet punuar në këtë drejtim duke mos pritur asgjë gratis nga BE.
“Jo vetëm që i qëndroj asaj që kamë thënë se ne na është dhënë mundësia historike pasi janë rreshtuar yjet bashkë dhe BE ka hapur derën, që të hymë në atë derë nëse ne bëjmë të gjitha ato që janë të shkruara dhe të përmbledhura në planin që kemi në tavolinë së bashku me Komisionin deri në fund të 2027”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se ne si Shqipëri duhet të bëjmë tonën, pavarësisht dëshirës së Costas, apo gjithë miqve europianë të Tiranës për të na bashkuar në gjirin e tyre.
“Kështu që ne do bëjmë të tonë dhe duhet ta bëjmë patjetër tonë, se po nuk e bëmë tonën, nuk ka çfarë bën as Antonio që e do me zemër këtë proces edhe Shqipërinë edhe rajonin, asnjë mik tjetër sepse BE funksionon me laps dhe kritere e standarde që duhen përmbushur. Pasi ne të bëjmë tonë, pastaj topi është në fushën e tyre, për të hapur derën. Zoti u shtoftë inatin themi ne edhe para 2030, por ne kemi vënë 2030 pasi mund të ketë në proces momente që mund të marrin me shumë kohë. Kjo është një mundësi historike dhe ky është një mision historik për ne. Për ne nuk është çështje as fondesh, as prosperiteti, por në radhë të parë është çështje dinjiteti, identiteti, përkatësie. Dhe ne duam ta mbyllim këtë proces”, deklaroi shefi i qeverisë. (A2 Televizion)