Seanca parlamentare e kësaj të enjteje kishte vetëm një pikë që mbarte rëndësi për opinionin publik, interpelancën me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, mbi masat e marra nga dikasteri që drejtoi për garantimin e sigurisë në shkolla, ku si referencë kishte ngjarjen tragjike ku humbi jetën 14-vjeçari pranë 9-vjeçares Fan Noli.
Por nga fillimi i seancës deri në nisjen e interpelancës, Kuvendi u përballë me dy orë debate për procedurë parlamentare, ku opozita ngriti shqetësimin se Elisa Spiropali i kishte përjashtuar nga Komisioni i Venecias, i cili këtë të premte nis shqyrtimin e kërkesës së Parlamentit Shqiptar për mënyrën se si duhet të zbatojë vendimet e gjykatës kushtetuese kur kërkohet mocion për mandatin e një deputeti.
Me përfundimin e debatit të procedurës, seanca u duk se u fut në shinat e rendit të ditës, por disa fjalë të Ina Zhupës ndaj deputetit Erion Braçe, që kishin nisur më herët të shkëmbenin batuta me njëri-tjetrin, shkaktuan tension në sallë.
Erion Braçe: Dukesh si ruse por nuk je.
Ina Zhupa: O Erion, t’u rrit goja, sa shumw m*** tw ha goja”.
Këto fjalë sollën një fenomen të pa ndodhur ndonjëherë në parlament, bojkotin e shumicës duke pamundësuar vijimin e interpelancës.
Gazment Bardhi: Të vijë ministrja, e ka detyrim kushtetues.
Në sallë ishin vetëm 2 socialistë, Elisa Spiropali në drejtimin e seancës dhe Niko Peleshi, i cili vazhdimisht nuk merrte vëmendjen e kryeparlamentares kur kërkonte të fliste.
Kjo kërkesë u aprovua nga Spiropali, ndërsa Gazment Bardhi nisi një revoltë personale ndaj shumicës duke treguar edhe përse kolegia Zhupa kishte përdorur atë fjalor ndaj Erion Braçes.
Gazment Bardhi: I tha ruse dhe ti nuk reagove!
Seanca rifilloi pasi 30 minutash me lajmin se rendi i ditës do të vijonte të mbledhjen e ardhshme të parlamentit Jashtë salle, Ina Zhupa nuk tregoi pendesë për mënyrën se si ishte drejtuar Braçes, duke dhënë edhe shpjegim të fjalëve.
Kësisoj, i dhuroi rivales politike në krye të Ministrisë së Arsimit, mundësinë të shtynte në kohë interpelancën mbi sigurinë në shkolla, që ishte kërkuar nga vetë opozita. (A2 Televizion)