Ish-kryeministri Sali Berisha depozitoi një ankim të plotë kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme, që caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Ankimi u depozitua nga një avokat i tij pak para përfundimit të orarit zyrtar të së hënës. Deri në atë moment, avokatët e ish-kryeministrit nën hetim nga SPAK, nuk ishin paraqitur për të tërhequr vendimin e arsyetuar të gjykatës. Vetë Gjykata e Posaçme njoftoi zyrtarisht se ia kishte përcjellë më herët vendimin Berishës përmes postës tek Selia e PD, tek banesa e tij dhe në Kuvend, por në të tre këto adresa njoftimi ishte kthyer me nënshkrimin “refuzuar”.
Por, pas depozitimit të ankimit të plotë, sipas dispozitave ligjore, ish-kryeministri Berisha konsiderohet nga Gjykata e Posaçme se ka marrë dijeni për vendimin.
Po të hënën, avokatët e dhëndrit të tij në qeli, Jamarbër Malltezi, depozituan ankimin e plotë kundër masës së sigurisë “arrest në burg”.
Në ditët në vijim ankimet e Berishës e Malltezit do të zhvendosen në Apel, ku do t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor. (A2 Televizion)