Festa e Pashkës nuk ndali takimet e demokratëve të Rithemelimit. Kjo e diel kupolën drejtuese e gjeti në Gjirokastër, ku zhvilluan një takim me demokratët.
Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit, Flamur Noka gishtin e akuzës e drejtoi tek drejtësia, pasi sipas tij nuk po heton aferat e qeverisë.
“SPAK-u nuk guxon jo ta hetojë Edi Ramën, pornuk guxon as t’i përmend emrin Ramës. Sepse SPAK-u është krijuar për të luftuar opozitën”.
Nënkryetari Oerd Bylykbashi e quajti të tejkaluar bashkimin e demokratëve dhe kërkoi që të nisë puna për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
“Është detyra jonë që ta çojmë këtë bashkim tashmë tek zgjedhësit e thjeshtë, jo vetëm tek anëtarësi, por të na bashkohen dhe zgjedhësit e thjeshtë. Për një vit maksimumi kemi zgjedhje, zgjedhjet shpesh sjellin adrenalinë dhe harrojmë një sërë problemesh, por organizmi jonë është thelbësor, ne shkojmë në zgjedhje me objektivin e qartë për të fituar”.
Për deputetin e Gjirokastrës, Tritan Shehun, beteja e demokratëve duhet të përqendrohet tek lirimi i Sali Berishës.
“Ne duhet të jemi të fortë, të përgatitemi për lëvizje të mëdha politike, të organizohemi, të konsolidohemi, të dialogojmë, të flasim kudo, të ngremë zërin kudo. Dhe veçanërisht të ngremë zërin për shkeljen më të rëndë që i është bërë demokracisë shqiptare, që është burgosja politike e kryetarit tonë Sali Berisha”.
Rithemelimi prej javësh po vijon takimet në bazë dhe paralelisht po zgjedh dhe kryetarët e degëve. (A2 Televizion)