“Tao Tao parti”, Berisha për ‘Djathtas 1912’: Përpjekje e Ramës për të caktuar liderin e opozitës

Nga Anesti Barjamemaj
12 Tetor 2024, 16:35 | Politikë

Vegël të Edi Ramës, kështu e cilëson Sali Berisha formacionin më të ri politik të krijuar nga ish-zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, Djathtas 1912.

Në një konferencë për mediat, teksa u pyet nëse do të bashkonte votat me këtë forcë politike për të zgjedhur emrin e kryeministrit, nëse opozita fiton zgjedhjet, Berisha pohoi se ky formacion i ri është përpjekja e radhës e Ramës për të caktuar liderin e opozitës.

“Së pari njëherë për Tao Tao partitë, siç është kjo e fundit që përmende ti, e kupton vetë qëndrimin e Sali Berishës. Së dyti, për bizat antiopozitë të Edi Ramës është i njëjti qëndrim. Ata të cilët mendojnë se duhet të përcaktojnë kryeministrin e Shqipërisë, jashtë vullnetit të zgjedhësve shqiptarë, ata janë në një variant, talebanët e politikës, janë fondamentalist, janë vegla të Edi Ramës dhe mund tu vesh shumë epitete”, tha Berisha.

Por dalja para mediave e Berishës, kishte një qëllim tjetër. Lideri i demokratëve nga banesa e tij ku po vijon të qëndrojë në arrest në shtëpi, akuzoi qeverinë se po vjedh qytetarët me buxhetin për vitin 2025. 

 “Informoj qytetarët shqiptarë se ky do jetë buxheti i vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve. Kjo sepse në këtë buxhet prej 8 miliardë euro, i cili de facto bën të mundur dyfishimin e të gjitha rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, parashikohet jo kjo, por parashikohet një vjedhje e tmerrshme e këtyre shumë miliardave euro të qytetarëve shqiptarë”, shtoi ish-kryeministri.

Sa i përket mosbindjes civile, Berisha pohoi se opozita do të vijojë me protesta, por pa treguar detaje. 

“Mosbindjen civile e ka dhe do ta ketë full time. Protestat nuk mund të shuhen, do të nxiten dhe të tjera, kudo që janë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos