Renditja e Shqipërisë nga Eurostat e fundit në rajon për të ardhurat për frymë, i dhanë dorë Partisë Demokratike t'u bëjë thirrje shqiptarëve të angazhohen për largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Sipas forcës kryesore në opozitë, problemet ekonomike janë shkak edhe për shpopullimin e vendit, për çka thonë se e kanë zgjidhjen në planin e tyre.
“Nevojitet ndërgjegjësimi i çdo qytetari, i çdo familjari, i çdo sipërmarrësi, duke drejtuar gishtin nga fajtorët e vërtetë të kësaj katastrofe ekonomike dhe sociale që po përjeton Shqipëria e shpopulluar me më shumë se 1 milionë banorë gjatë viteve të fundit, e duke i ndëshkuar ata me votën e sovranit, në zgjedhje të lira e të ndershme, të organizuara nga një qeveri teknike. Partia Demokratike e ka të qartë vizionin e saj.
Me një qeverisje të vogël që në qendër të vëmendjes vendos individin, familjen dhe sipërmarrjen e ndershme, me strategji zhvillimore gjithëpërfshirëse, me implementimin e minimumit jetik, me një model taksimi të ulët dhe i bazuar në taksën e sheshtë 10%, rivitalizimi i familjes, fuqizimi i rinisë dhe i gruas në shoqëri dhe biznes, krijimi i kuadrit të duhur ligjor dhe institucional për të qenë përsëri lider në rajon në thithjen e investimeve të huaja, etj, do bëjmë të mundur kthimin e Shqipërisë në shinat e zhvillimit gjithëpërfshirës, ku çdokush sipas meritës dhe aftësive të tij të ketë në dorë e të bëjë fatin e tij”, tha Teliti.
(A2 Televizion)