Thirrje për sistem të ri elektoral, Arta Dade: Kryetarët e partive janë bërë autoritarë

Nga Arestina Skënderi
5 Dhjetor 2024, 16:42 | Politikë

Arta Dade, ish-ministrja e Jashtme e socialistëve apelon politikën shqiptare të ndryshojë sistemin elektoral. Ajo sheh pushtet të përqendruar dhe autoritarizëm në rritje të kryetarëve të partive politike.

Arta Dade ka qenë një prej deputeteve që e votuan sistemin proporcional rajonal në 2008-ën, por sipas saj ai është deformuar.

“Ky sistem elektoral që ne kemi vërtetë ka krijuar shumë problem, ka tkurrur demokracinë e brendshme të partive dhe ka rritur autoritarizmin e liderëve të partive. Sistemi elektoral duhet të shikohet të ndryshohet sepse për mua është kthyer në pengesë të demokracisë, atëherë unë e votova për kuotat e grave, por edhe ai sistem nëse ekziston demokracia e brendshme të jep mundësinë të kesh një parlament efektiv, por kjo nuk ndodh pasi nuk funksionin demokracia e brendshme dhe respektim i institucioneve”, tha Dade, shkruan A2.

Dade thotë se meritokracia brenda partive politikë duhet të nisë nga forcimi i forumeve rinore. Por shembulli socialist i platformës me vetofrim ‘’Deputeti që Duam’’, nuk është në funksion të kësaj, sipas saj.

“Nuk ka asgjë të keqe të mendosh që do bëhesh deputet, por nuk bëhesh deputet sa ke filluar si kjo për shembull “deputeti që duam”. Platforma dalin atje bëjnë nga një video, unë dua të bëhem, deputete nuk mund. Kjo nuk mund të funksionojë kështu sepse duhet të marrësh besimin e atyre që do të promovojnë”.

Kritika dhe për opozitën, te sheh të rinjtë demokratë që veprojnë me metoda të vjetra dhe jo duke komunikuar me qytetarët. Si shembull mori ish-kandidatin për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi

“Rrotacionet bëhen që partitë të merren me veten e tyre kur të dalin në opozitë, jo si kjo opozita jonë që mesa duket nuk ka ndonjëherë ndërmend të vijë në pushtet. Vunë një djalë të ri për bashkinë Tiranë atje që humbi, një humbës me 60 mijë vota shkon dhe hedh molotov te bashkia në vend që të trokasë derë më derë e të thotë unë do kandidojë përsëri”.

Këto komente mbi politikën, ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, i bëri gjatë prezantimit të një studimi të mbështetur nga fondacioni i majtë gjerman Friedrich Ebert për të rinjtë shqiptarë. Ndër të tjera shifra, 25% e të rinjve nuk ndihen të përfaqësuar, 53% nuk janë të interesuar për politikën, ndërsa 33% nuk i besojnë Parlamentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos