“Thoni do ngelet Durrësi pa port...”, Balluku sulmon opozitën: Po kërkoni ta ktheni në një “kalë beteje”

Nga A2 CNN
21 Mars 2024, 12:00 | Politikë
Pas gati gjashtë muajsh bllokim, është mbajtur këtë enjte seanca e radhës plenare. E pranishme në këtë seancë ishte edhe Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, e cila ndër të tjera në fjalën e saj, foli për projektet që sipas saj janë të rëndësishme për vendin, jo vetëm për nga ekonomia, por edhe turizmi.

Duke u ndalur fillimisht te Porto Romano dhe Porti i Durrësit, Balluku shtoi se nuk do të ketë asnjë mbyllje të këtyre porteve dhe se të ardhurat nga këto dy projekte arrijnë mbi 280 milionë euro. Ajo sqaroi më tej se, për këto projekte është bërë prezantimi në selinë qendrore të NATO-s duke u vlerësuar si një zonë shumë e rëndësishme.

Balluku tha se, Porti i Durrësit do të vazhdojë të jetë i shqiptarëve, ndryshe nga çfarë ka deklaruar opozita, e cila, sipas saj, po e përdor këtë projekt, për ta kthyer në një ‘kalë beteje’.

“Ju e keni dizenjuar zonën e Porto Romans si një zonë detare. Por ju do të pyesni se përse këto po bëhen me paratë e buxhetit ttë shtetit, por ajo zonë do të jetë edhe militare. Ne e kemi thënë publikisht pasi kemi bërë prezantimin në selinë qendrore të NATO-s dhe është prezantuar si zonë e rëndësishme. Në paketën 390 milionë euro që do të investohen në këtë port, 175 milionë janë të dedikuara për punime në infrastrukturë detare parësore dhe do t’i shërbejnë edhe portit militar që do të ngrihet në zonë. Nga ana tjetër ndjehemi të shqetësuar që opozita përdor këtë projekt për ta kthyer në një kalë beteje, pasi këtu preket interesi i të gjithë shqiptarëve”, tha ajo.

Ndërkohë, sa i përket zhvendosjes së Portit të Durrësit në Porto Romano, Balluku deklaroi se, ky është projekti më transparent i bërë deri më tani.

“Dhe nuk bëhet fjalë për mbylljen e një porti dhe hapjen e një porti tjetër, por për të dy portet, një turistik dhe një militar.”, tha Balluku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos