“Komisioni për Reformën Zgjedhore, një turp”, Bardhi: Nuk u mblodh asnjë ditë, mjaft me teza jenisherësh

Nga A2 CNN
21 Mars 2024, 10:58 | Politikë

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi se kishte një pazar mes mazhorancës dhe asaj pjese të opozitës në komisionin për reformën zgjedhore, për të shkuar në zgjedhjet e reja me të njëjtin kod dhe këtë gjë sipas tij e tregoi dhe fakti se nuk u zhvillua asnjë mbledhje për dy vite.

Bardhi shprehu nevojën e vendosjes së debatit politik, për t’iu dhënë qytetarëve një reformë kuptimplot që siguron zgjedhje të lira e të ndershme.

“Koha kur ju nxisnit opozitën të digjte mandatet është e shkuara. E tashmja e grupit tonë është përballja në çdo institucion me Edi Ramën. Sa i përket reformës zgjedhore rikthejuni diskutimeve të korrikut. Kemi kërkuar të mbahen përgjegjës ata që mbajtën të bllokuar këtë reformë dhe kishte një Pazar që mos iu ofrohej shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme, që votën e tyre mos e deformojë krimi, intimidimi, paratë e korrupsionit. Ky është qëllimi që duhet të kishte ky Kuvend.

Duhen reflektuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR. Në skadim të këtij komisioni të turpshëm që nuk punoi asnjë ditë, ky kuvend duhet t’i mbajë përgjegjës për dështimin e reformës zgjedhore dhe të nxisë dialogun politik që t’iu japim qytetarëve një reformën kuptimplotë dhe jo një tallje me teza jenisherësh që kthehen sa herë që dikush kërkon të bëhet deputet”, deklaroi Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos