Bardhi i shtrin dorën për bashkëpunim Bashës: Përballë kundërshtarit, duhet të jemi një!

Nga A2 CNN
20 Mars 2024, 14:20 | Politikë

Rithemelimi i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit grupimit të Lulzim Bashës. Pas sulmeve dhe akuzave të artikuluara si opozitë e shitur që nuk përfaqëson shumicën, sot Rithemelimi ka bërë një hap pas dhe ka vendosur që t’i jap një anëtarë në grupin e punës që do të ndërtohet për ligjet të kërkojnë 94 vota.

Referuar marrëveshjes së arritur pak ditë më parë me mazhorancën, ky grup pune do të ketë 6 anëtarë, 3 nga opozita dhe 3 nga socialistët. Nga PD-ja e Bardhit dhe Berishës është caktuar që të jetë Oerd Bylykbashi, Erisa Xhixho e Partisë së Lirisë dhe vendi i tretë i është lënë Lulzim Bashës. Anëtarë zëvendësues, do jenë Dhurata Çupi dhe Fatmir Mediu.

Ftesa për bashkëpunim është artikuluar edhe nga vetë kreu i grupit, Gazment Bardhi.

“Përballë kundërshtarit politik do duhet të jemi një trupë e vetme. Janë të lutur që përmes sekretarit të grupit të na paraqesin propozimin përkatës nëse duan ta marrin përsipër këtë përgjegjësi. Ne jemi të hapur”, ka thënë ai në një konferencë për mediat për gazetarët.

Kjo ftesë për bashkëpunim, atëherë kur palët duken më larg se kurrë, erdhi pasi Krerët e grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi u dakordësuan që komisioni parlamentar i ligjeve të gjejë mekanizmin e duhur për të ngritur një grup pune për të krijuar dialogun politik për ligjet që duan shumicë të cilësuar prej 94 votash, si dhe për ato që janë pjesë e agjendës së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli