Nisma e Rithemelimit në Kuvend, PD kërkon rritjen e pensionit minimal: 300 euro deri në 2029

Nga Ervin Koçi
19 Mars 2024, 15:43 | Politikë

Grupi Parlamentar i PD-së kërkon nga qeveria rritjen me ligj të pensioneve. Nëpërmjet një nisme ligjore, Gazment Bardhi kërkon që pensionet minimale në Shqipëri të njohim rritje progresive vit pas viti, për të arritur vlerën prej 32 mijë lekëve në vitin 2029.

“Ndërhyrja e parë synon që të vendosë një standard minimal për masën e përfitimit të pensionit në vendin tonë, pavarësisht llojit të këtij pensioni, duke filluar nga viti 2024 në masën e pensionit mesatar rreth 18 mijë lekë dhe duke vijuar në progresion rritës për 5 vitet e ardhshme, më qëllim që në vitin 2029 të mos ketë pensione më të ulëta se 32 mijë lekë”, tha Bardhi.

Amendamenti i dytë kërkon që të heqë afatin kohor të tërheqjes së pensionit. Ligji aktual parashikon se një pensionist mund të lërë të pa tërhequr pensionin e tij deri në tre vite, ndërsa propozimi i Bardhit kërkon që afatet ligjore të hiqen dhe pensionisti ta tërheq atë kur të dëshirojë. 

“Pensioni nuk duhet kuptuar në asnjë rast si dhuratë apo mëshirë, por duke qenë se rrjedh nga kontribute shumëvjeçare, si një e drejtë e patjetërsueshme që ka çdo qytetar për të përballuar kostot e jetesës në vitet që nuk është aktiv për punë”, u shpreh Bardhi.

Për miratimin ne këtij akti do të duhet dakordësia e qeverisë e cila, sipas procedurës parlamentare, duhet të shprehet nëse mundësitë financiare të saj janë të mjaftueshme për të aprovuar një nismë të tillë. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë