Sot afati i fundit, dështon Komisioni i Refomës Zgjedhore! PD-ja sherr për "karrigen", PS-ja e pashqetësuar

Nga A2 CNN
21 Mars 2024, 11:29 | Politikë

Sot afati i fundit, dështon Komisioni i Refomës Zgjedhore! PD-ja sherr

2 vite Komision i Refomës Zgjedhore u finalizua pa asnjë produkt konkret. Agjenda e partive politike dominoi në ato të pakta mbledhje të zhvilluara, shumica online. Pas 2 vitesh, sot është afati i fundit i këtij Komisioni dhe ndonëse palët janë shprehur publikisht për nevojën e një Reforme të re Zgjedhore që adreson rekomandimet e OSBE-ODIHR, veprat e tyre flasin ndryshe.

Vëmendjen më të madhe të funksionimit të këtij Komisioni e mori sherri brenda Partisë Demokratike se kush do të kishte rolin e bashkëkryetarit. Enkelejd Alibeaj nuk gëzonte mbështetjen e shumicës dhe Rithemelimi kërkonte që vendin e tij ta zinte Oerd Bylykbashi. Mirëpo, në këtë kërkesë PD-ja e Bashës, ndonëse nuk kishte shumicën, këmbëngulte se e drejta për bashkëkryetarin i takon atyre, duke mos lëshuar pe. Të përqëndruar në kërkesën e “karriges”, pasi bashkëkryetari gëzon të drejtën e vetos, Rithemelimi nuk ka pasur një propozim konkret me pika, të artikuluar qartë mbi atë se çfarë ndryshimesh kërkojnë në këtë Reformë.

Ndryshe nga ata, PD-ja e Lulzim Bashës ka dalur hapur me një plan me pika që përfshin votën e diasporës, votimin elektronik dhe lista të hapura. Këto janë pikat kryesore për të cilat Basha ka ngritur zërin në publik, madje edhe duke i “shpallur sfidë” mazhorancës që t’i votonte, e për t’u treguar shqiptarëve se po dëgjojnë zërin e tyre.

Mirëpo, në ndryshim nga dy palët e PD-së që kërkojnë një Reformë të re Zgjedhore, mazhoranca me anë të bashkëkryetarit Damian Gjiknuri e ka bërë të qartë se janë të kënaqur që të shkojnë një zgjedhje edhe me këtë Kod Zgjedhor që aktualisht është në fuqi. Mirëpo, përtej komoditetit që i ofron ky Kod Zgjedhor, edhe ato teksa afati i Komisionit ishte drejt fundit, hodhi në tryezë disa propozime, siç ishin ndryshimet për dekriminalizimin. Ato kërkojnë që të shfuqizojnë nenet që nuk lejojnë të kandidojnë personat që nuk kanë një vendim të formës së prerë. Sai përket votës së emigrantëve, ato propozojnë që vota e emigrantëve të bëhet me anë të postës dhe numërimi të bëhet në Komisionin Qendror i Zgjedhjeve.

E teksa ky Komision dështoi, sot pikërisht 2 PD-të dhe PS-ja, “fajtorë” që nuk pati një Reformë të re, u shprehën të keqardhur duke fajësuar njëra-tjetrën.

“Duhen reflektuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR. Në skadim të këtij komisioni të turpshëm që nuk punoi asnjë ditë, ky kuvend duhet t’i mbajë përgjegjës për dështimin e reformës zgjedhore dhe të nxisë dialogun politik që t’iu japim qytetarëve një reformën kuptimplotë dhe jo një tallje me teza jenisherësh që kthehen sa herë që dikush kërkon të bëhet deputet”, deklaroi Gazment Bardhi nga Rithemelimi.

“Sot është dita e fundit e reformës zgjedhore. Duket qartë pakti dhe marrëveshja. Heshtja. Ky parlament e ka për detyrë të deklarojë edhe dështimin e reformës ku detyrën e keni ju për të nxjerrë në rend dite produktin e reformës projektligjin e propozuar nga PD, 5 muaj më parë. Ne kemi depozituar variantin tonë listat e hapura, Shqipëria një zonë, votimi numërim elektronik, vota e diasporës. Kërkesa ime për procedurë është që sot të marrim kurajë dhe të votojmë edhe kundër të flasim shqiptarëve ashtu siç duhet. Të pranojnë pra që nuk duan listat e hapura, votën e diasporës, pranojnë pra që t'i dhurojmë 6 mandate Edi Ramës me këtë sistem. Dhe të dalim pastaj përpara shqiptarëve”, tha Enkelejd Alibeaj nga grupimi i Lulzim Bashës.

“Sot mbaron afati i komisionit dhe për fat të keq po presim produktin përfundimtar, nga deklarimet e Alibeajt duket se nuk do të ketë një produkt përfundimtar. Alibeaj e tha se produkti i këtij komisioni do të ishte dokumenti që kemi dorëzuar në parlament. Por çfarë komisioni bipartizan konsensual mund të ngrihet mbi këtë premisë kur pakica vjen me një draft, e dorëzon në Kuvend dhe thotë këto janë kushtet tona. Ky është dhe burimi i dështimit të këtij komisioni. Gjithsesi ne do të presim rekomandimet e komisionit, do ti shqyrtojmë dhe do të mbajmë një qëndrim në Parlament. Në lidhje me faktin nëse PS-ja i do apo jo listat e hapur, po ne jemi ata që kemi votuar që emigrantët të votojnë. Të gjithë këto janë adresuar dhe do presim rezultatet e komisionit bipartizan që ka zgjat më shumë se askush tjetër dhe si duket nuk ka asnjë produkt si asnjë komision tjetër”, deklaroi Çuçi.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vijim, e ndërsa ekziston edhe një opsion tjetër i artikuluar nga kryeministri Edi Rama, i cili ka hedhur edhe idenë për mosngritjen e Komisioneve për Reformat të rëndësishme, por të kalojnë përmes Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos