A2 CNN zbardh propozimet e socialistëve për Reformën Zgjedhore

Nga Fjorela Beleshi
13 Mars 2024, 21:42 | Politikë

Në prag të përfundimit të afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Partia Socialiste ka zbardhur propozimet për Kodin e Ri Zgjedhor. A2 CNN ka zbardhur draftin e plotë, ku mësohet se fokusi i socialistëve ka qenë përbërja e qendrave të votimit dhe Komisionit Zonal të Administrim të Zgjedhjeve.

Më konkretisht,  PS propozon që KZAT të përbëhen nga 5 Anëtarë, të përzgjedhur nga KQZ dhe 4 monitorues politik pa të drejtë vendimmarrje. Gjithashtu, socialistët propozojnë që KQV (qendrat e votimit) të përbëhen nga 3 anëtarë (nga administrata shtetërore) të emëruar nga KQZ  dhe 4 monitorues politik pa të drejtë vendimmarrje. Ndërsa sa i përket qendrave të numërimit, mazhoranca në draftin e tyre propozon që të përbëhen 2 anëtarë dhe 4 monitorues.

Ndalur te KQV dhe KZAZ, sipas socialistëve monitoruesit politik duhet të nënshkruajnë procesverbalin e hapjes dhe mbylljes së votimit duke certifikuar ose kontestuar procesin nëpërmjet vërejtjeve  në procesverbaleve.

Një pikë e rëndësishme e propozimeve të tyre është dhe ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit. Ato kërkojnë që të shfuqizojnë nenet që nuk lejojnë të kandidojnë personat që nuk kanë një vendim të formës së prerë.

Nga ana tjetër, PS propozon edhe që të mos jetë 4 muaj, por të jetë vetëm 30 ditësh i fushatës elektorale periudha e ndalimit të çdo veprimtarie publike, pavarësisht nëse ka qenë planifikuar ose jo me fonde te buxhetit të shtetit.

Pjesë të propozimeve të tyre kanë përfshirë edhe votën e emigrantëve.

“Shtetasit shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë bëjnë regjistrimin e adresës së banimit të tyre jashtë vendit në përputhje me ligj nr. 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Kodi Zgjedhor të ndryshohet duke përcaktuar afat kohor brenda të cilit KQZ duhet të miratojë aktet përkatëse nënligjore për votimin e shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit (psh jo më vonë se 6 muaj nga fillimi i periudhës zgjedhore të vitit 2025).

Kodi Zgjedhor të përcaktojë kohën se kur KQZ fillon procedurën e regjistrimit të shtetasve me banim jashtë vendit dhe që kanë shprehur vullnetin për të votuar në zgjedhjet parlamentare.(psh jo më vonë se 90 ditë nga dita e zgjedhjeve) Vota e shtetasve me banim jashtë vendit do të llogaritet dhe tabulohet në tabelën e rezultateve të qarkut më të fundit ku ka pasur vendbanimin në Shqipëri votuesi.

Numërimi i votave të shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit do të bëhet në KQZ dhe fillon në momentin kur fillon numërimi i votave në KZAZ-në më të pare për qarkun respektiv. 45 ditë para datës së zgjedhjeve dhe gjithmonë para printimit të listës përfundimtare të zgjedhësve Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civil heq nga lista e zgjedhësve në Shqipëri shtetasit shqiptarë me vendbanim jashtë vendit që do të votojnë jashtë Shqipërisë.

Votimi nga jashtë vendit të bëhet nëpërmjet postës dhe zarfi me fletën e votimit duhet të ketë mbërritur në KQZ jo më vonë se ditën e votimit.  Modalitetet e tjera për votimin e shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të rregullohen me akt nënligjor të KQZ,  siç është parashikuar në Kod”, thuhet në propozim.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në rast se nuk do arrihet dakordësia, atëherë socialistët janë të kënaqur me këtë Kod Zgjedhor, e ndërsa ka hedhur edhe idenë për mos ngritjen e Komisioneve për Reformat të rëndësishme, port ë kalojnë përmes Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos