Komisioni i reformës zgjedhore vijon të mblidhet online, ndërsa deputetja demokrate, Dhurata Çupi, e ftuar në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN, la të hapur mundësinë e rikthimit në opozitës në këtë komision, por pasi të pranohen propozimet e tyre.
Deputetja theksoi PS duhet të ulet me opozitën për të realizuar një reformë të gjithëpranuar.
“Diaspora është një grup shumë i rëndësishëm. Unë jam një nga deputetët firmëtare në depozitimin e ligjit për votën e diasporës. Ne do t’i qëndrojmë kërkesave tona. E mira është që PS të pranojë të ulet me PD-në për t’i dhënë vendit një reformë zgjedhore të gjithëpranuar.
Ne nuk kemi pranuar të shkojmë se nuk duam, nuk është kapriço fëmije. Ne kemi depozituar një kërkesë e cila nuk është pranuar nga mazhoranca. Ne kemi dashur të shkojmë dhe duam të jemi pjesë të reformës zgjedhore. I jemi drejtuar kuvendit me një kërkesë që të votojnë si përfaqësues të opozitës Bylykbashin si bashkëkryetar. Deri më sot nuk ka vendimmarrje tjetër. A do të marrim pjesë si anëtarë të thjeshtë? Nuk di të them sot, pasi nuk ka një vendim të dytë të grupit parlamentar”, u shpreh Çupi. (A2 Televizion)