Dy serbë dënohen për sulm ndaj KFOR-it! Politika presion Prokurorisë për të ngritur akuza për Banjskën

Nga Ideal Gola
27 Shkurt 2024, 21:10 | Politikë



Radosh Petroviç dhe Dushan Obrenoviç janë shpallur fajtorë për sulmin ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan në maj të vitit të kaluar. Paraprakisht, të dy serbët kishin pranuar fajësinë dhe kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë Speciale. Gjykata Themelore në Prishtinë i gjeti fajtor për veprën “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm”. 

“I akuzuari R.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë, në shumë prej 6mijë euro. [...] I akuzuari D.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Prishtinë.

Së fundmi, politika në Prishtinë ka kritikuar prokurorinë për mungesë të akuzave për ngjarjet që ndodhën vitin e kaluar në veri. 

“Konsideroj që ky presion që po vjen nga politika është tërësisht i paarsyeshëm, drejtësia e do kohën e vet, për një aktakuzë duhet të zhvillohet me sukses procedura e hetimeve dhe para së gjithash më mirë është që të pritet një kohë e caktuar, të kemi hetime të mirëfillta, ku faktet të vërtetohen me prova dhe nesër kur të ngrihet aktakuza ajo t'i kalojë filtrat në gjykatë”, u shpreh Arbër Jashari, Jurist.

Për rastin e Banjskës ende nuk ka aktakuza por rasti vlerësohet me kompleksitet. Sipas legjilslacionit kosovar, hetimet mund të zgjasin dy vjet por në raste të ndjeshme mund të shkojnë deri në tri.

 “Mendoj që prokuroria duhet ta trajtojë këtë rast me prioritet mirëpo gjashtë muaj nuk janë aspak shumë në këtë aspekt duke pasur parasysh kompleksitetin e këtij rasti penal, është një rast penal shumë i komplikuar me shumë të akuzuar eventualë ku ka ndodhur shumë zhvillime dhe natyrisht që duhet analizë”, u shpreh Jashari.

Në protestat e majit të vitit 2023 ishin plagosur mbi 90 trupa të KFOR-it, ndërsa një ushtari hungarez i ishte amputuar këmba. Ndërsa në Banjska mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos