Tymi i bardhë i negociatave, PS jep “OK” për 2 komisione hetimore, nënkomision për zgjedhoren

Nga A2 CNN
12 Mars 2024, 19:13 | Politikë

Pas më shumë se 5 muajsh në krizë parlamentare, demokratët e Rithemelimit dhe socialistët arritën të gjejnë dakordësinë për kthimin në normalitet.

Formula e pajtimit parashikon ngritjen e 2 komisioneve hetimore, për ndërhyrjen në sistemin TIMS dhe koncesionet në shëndetësi. Ndërsa për nismat ligjore që kërkojnë 84 vota, ku përfshihet edhe reforma zgjedhore, palët ranë dakord të krijojnë një nënkomision që do të funksionojë mbi bazën e barazisë mes mazhorancës dhe opozitës.

Negociatat u zyrtarizuan në konferencën e kryetarëve.

Socialistët janë komodë me ligjin e ri për komisionet hetimore pasi e kanë shkruar dhe miratuar vetë, ndërsa Gazment Bardhi pas fitores politike në Kuvend pret të marrë edhe një lajm të mirë nga Kushtetuesja.

Kërkesa për të hequr të besuarin e Lulzim Bashës nga komisioni i reformës zgjedhore, ka marrë një zgjidhje mes grupit parlamentar demokrat dhe atij socialist. Në përfundim të afatit, nuk do të ketë tjetër shtyrje dhe diskutimet do të kalojnë në një nënkomision me 4 anëtarë, ndarë në numër të barabartë, ku do të diskutohet jo vetëm për ligjin elektoral.

Pasi të mërkurën në orën 13:30 konferenca e kryetarëve të vendosë vulën mbi produktet e dakordësuara, parlamenti pritet të rikthehet në normalitet në seancën e 21 marsit. Pikërisht kur demokratët e Berishës ulen në karriget e tyre, të besuarit e Bashës humbin mundësinë për t’iu imponuar me veto socialistëve për reformën zgjedhore.  

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli