Reforma zgjedhore, Çuçi: Presim produktin Gjiknuri-Alibeaj

Nga A2 CNN
12 Mars 2024, 14:55 | Politikë

Për kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi paqja e arritur sot mes mazhorancës dhe Rithemelimit në Konferencën e Kryetarëve për t’i hapur rrugë rikthimit të Parlamentit në normalitet ishte një ndjesi pozitive.

Çuçi tha për mediat se diskutimet që çuan drejt marrëveshjes për ngritjen e komisioneve hetimore për sistemin TIMS dhe kontratat koncesionare në shëndetësi, kanë rivendosur urat e dialogut që mungonin nga tetori i vitit të shkuar.

“Ishte ndjesi e mirë dhe lajm pozitiv që më në fund opozita u ul në konferencën e kryetarëve. U duk sikur rivendosëm dialogun dhe bashkëbisedimin ku e lamë në tetor të kaluar. Po prisnim prej më shumë se 4 muajsh të rregullojnë objektet e komisioneve hetimore. Lamë një grup të përbashkët që të merren me rregullimin e objekteve. Frymë e mirë sa i takon vazhdimit të një fryme një jete të re parlamentare. Zgjodhën të iknin nga organet e parlamentit dhe bënë atë aksion ku besoj janë të bindur që nuk i çonte asgjëkund, tani do të rikthehen.”

I pyetur nëse do të ketë një nënkomision që do të punojë për reformën zgjedhore, Çuçi la vend për diskutim, por theksoi se produkti i komisionit bipartizan që drejtohet nga dyshja Gjinkuri-Alibeaj, e që i përfundon afati më 21 Mars do të kalojë për votim në Kuvend.

Sipas tij të gjitha palët e opozitës janë të përfaqësuara në këtë komision.

“Ne kemi ngritur një komision ja kemi dhënë të gjithë kohën e nevojshme këtij komisioni dhe do të përfundojë mandatin me një produkt që është duke u përpunuar në komision. Reforma Zgjedhore ka një komision që funksionon. Do shohim produktin e këtij komisioni. Sot po punohet me ekspertë të OSBE/ODIHR. Do shohim produktet e komisionin bipartizan. Aty janë të përfaqësuar absolutisht të gjithë korentet opozitare. Produkti do t’i nënshtrohet procedurave parlamentare në Kuvend. Kur nuk ka një konsensus politik nuk ka vendimmarrje politike.”

I pyetur nëse PS do të jetë e hapur për një produkt që lind nga negociatat me Rithemelimin në rast se ndryshimet në Kodin Zgjedhor që propozon komisioni bipartizan nuk marrin 84 vota në Parlament, Çuçi tha se nuk përjashtohet mundësia që të mos ketë fare produkt final.

Ngacmimit të gazetarëve se kjo tregon që mazhoranca ndihet komode me Kodin Zgjedhor aktual, ai iu përgjigj duke thënë: "Produkti i komisionit bipartizan të Reformës Zgjedhore do të diskutohet në procedura parlamentare normale si gjithë të tjerët.  Ose mund të mos kemi fare produkt. Ne i qëndrojmë idesë që Shqipëria ka një kod zgjedhor funksional". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos