Sondazh: Sipas jush, brezi më i lumtur është:
  • X (1960-1980) 33%
  • Millenials (1981-1996) 56%
  • Z (1997-2011) 11%
  • Alpha (2012-2025) 0%

Jeta parlamentare drejt kthimit në normalitet, arrihet “paqja” mes Rithemelimit e mazhorancës

Nga Fjorela Beleshi
12 Mars 2024, 14:24 | Politikë

Jeta parlamentare drejt kthimit në normalitet, arrihet “paqja”

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku pas 5 muajve bojkot u rikthye me flamurin e të mandatuarit nga Rithemelimi për të drejtuar negociatat me mazhorancën, Gazment Bardhi, socialistët kanë pranuar kërkesat e opozitës për komisionet hetimore, çka i hap rrugë normalizimit të veprimtarisë së Kuvendit.

Mazhoranca është tërhequr nga vendimet e datës 12 tetor 2023 për rrëzimin e komisionit hetimor për kontratat konçesionare në shëndetësi dhe për komisionin hetimor për ndërhyrjen e paligjshme në sistemin TIMS.

Në Konferencën e Kryetarëve është rënë dakord që opozita do të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar nga ky sesion parlamentar. Është vendosur po ashtu në parim që të ngrihen të dyja komisionet e mësipërme, të cilat u bën shkak për nisjen e aksionit të opozitës dhe mosbindjes civile në Kuvend që nga 19 tetori.

Burime bëjnë me dije se Gazment Bardhi dhe Klotilda Bushka janë ligjvënësit e përzgjedhur për t’u marrë me diskutimet për shqyrtimin e objektit dhe ngritjen e këtyre komisioneve hetimore. Përveç objektit pritet të përcaktohen edhe emrat e anëtarëve, ndërsa Konferenca e Kryetarëve pritet të mblidhet sërish nesër në orën 13:30 për të futur në kalendar dhe miratuar vendimet për ngritjen e dy komisioneve hetimore hetimore.

Konferenca e Kryetarëve ka arritur dakordësinë në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave.

Palët kanë rënë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë, 2 prej të cilëve do t’i caktojë Bledi Çuçi dhe 2 të tjerë, Gazment Bardhi. Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.

Komisioni po ashtu merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.

Kujtojmë këtu që kjo zgjidhje e dakordësuar sot, vjen rreth dy javë para se Komisionit të Reformës Zgjedhore t’i skadojë afati më 21 mars 2024. Bashkëdrejtuesit e këtij komisioni, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj kanë dështuar deri më tani të kenë produkt, ndërsa Rithemelimi ka kërkuar në vazhdimësi zëvendësimin e bashkëkryetarit të PD-së së Bashës në komision me Oerd Bylykbashin.

MBLEDHJA DHE DISKUTIMET:

I pari që mori fjalën në Konferencën e Kryetarëve ishte Gazment Bardhi, i cili parashtroi përballë përfaqësuesve të PS dhe kryeparlamentares Nikolla, propozimet e opozitës.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi u shpreh gjatë mbledhjes se nga kampi rozë janë të hapur të diskutojmë për komisionet hetimore që kërkon opozita nëse rregullohen objektet, edhe pse sipas tij kjo e drejtë kushtetuese nuk u është mohuar asnjëherë.

Ai e ka cilësuar një sinjal të mirë pjesëmarrjen e opozitës në këtë tryezë, për t'u rikthyer në normalitet.

"Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore. Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar”, ka thënë Çuçi.

Më tej, ai ka vendosur theksin te roli i opozitës në Parlament, duke përmendur edhe ligjet që duan shumicë të cilësuar siç është edhe Amnistia Penale.

"Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale", tha Çuçi.

Në Konferencën e Kryetarëve, përveç përfaqësuesve të Rithemelimit, PS dhe PDIU merr pjesë edhe Flutura Açka, si kryetare e komisionit të Medias, politikisht e rreshtuar në PD-në zyrtare që drejtohet nga Lulzim Basha.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani