Vullneti i votuesve shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të 2025 do të shpërndahet në një hartë elektorale të rikonfiguruar. Korçarët vitin e ardhshëm në krahasim me 2021 do të nxjerrin një deputetë më pak, ndërsa votuesit e Tiranës do t’u jepet e drejta për të zgjedhur një parlamentar më shumë se sa 4 vite më parë.
Ky ndryshim i cili u miratua nga Komisioni Rregullator vjen për shkak të ndryshimit të numrit të votuesve në këto dy qarqe, ku Korça do të ketë 10 mandate, ndërsa Tirana 37.
Duke ju referuar rezultateve të 2021, mandati i juglindjes penalizon socialistët, të cilët do të duhet të luftojnë më shumë me opozitën për të mbajtur të njëjtin rezultat, ndërsa rritet gara për mandatin e Tiranës, ku përveç dy të mëdhenjve në betejë pritet të jenë edhe partitë e vogla.
Komisioni Rregullator caktoi kufijtë dhe ngritjen e 93 Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvend, që do të mbahen në datën 11 Maj 2025.
Por 5 anëtarët nuk arritën të bëhen bashkë për propozimin e Ilirjan Celibashit që vota e emigrantëve të numërohet nga KQZ.
Për herë të parë vitin e ardhshëm shqiptarët që jetojnë jashtë do të kenë mundësi të votojnë nga shteti ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh. (A2 Televizion)