Tragjedi e rëndë në Maqedoninë e Veriut, Berisha shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave

Nga A2 CNN
16 Mars 2025, 15:12 | Politikë

Tragjedi e rëndë në Maqedoninë e Veriut, Berisha shpreh

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut ku si pasojë e flakëve në një diskotekë kanë humbur jetën 59 të rinj dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i PD-së shpreh ngushëllimet e tij dhe  të Partisë Demokratike për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin me autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

“Miq, një tragjedi e rëndë ka ndodhur në vendin mik. Në një diskotekë në qytetin Koçan, Maqedonia e Veriut, 59 të rinj, të moshave 14-25 vjeç, humbën jetën tragjikisht nga zjarri, ndërsa 155 të tjerë pësuan djegie të shkallëve të ndryshme dhe helmim nga monoksidi i karbonit. Ndër ta, 18 janë në gjendje të rëndë. Me këtë rast, shpreh ngushëllimet më të ndjera të mia dhe të Partisë Demokratike për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin tonë me autoritetet lokale dhe qendrore të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, lutemi për një shërim sa më të shpejtë dhe të plotë të të plagosurve në këtë tragjedi të tmerrshme”, shkruan Berisha.

Një reagim për tragjedinë ka patur edhe “Djathtas 1912”, e cila shpreh ngushëlliemt për familjet e viktimave.

“Dhimbje e madhe nga lajmi i trishtë i këtij mëngjesi për viktimat e shumta në zjarrin tragjik të mbrëmshëm në një klub nate në Koçan, Maqedoninë e Veriut. Humbja e kaq shumë jetëve të reja është një tragjedi e rëndë për të gjithë komunitetin. Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa lutemi për shërim të shpejtë për të lënduarit. Në këto momente të vështira, iu jemi pranë me mendje dhe zemër”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos