Partia Demokratike ka marrë në mbrojtje Bardh Spahinë, i cili pak ditë më parë u mor i pandehur zyrtarisht nga SPAK. Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, pohoi se thirrja në SPAK e ish-kryebashkiut të Shkodrës, është shembulli më i qartë i standardit të dyfishtë të këtij institucioni dhe përdorimit të tij si mashë politike e qeverisë.
“Thirrja në SPAK e ish-kryebashkiaut të Shkodrës, anëtar kryesie i PD, është shembulli më i qartë i standardit të dyfishtë të këtij institucioni dhe përdorimit të tij si mashë politike e qeverisë. Për ta sqaruar për publikun dhe mediat se, çfarë ka bërë Bardh Spahia që thirret në SPAK, është shumë e thjeshtë. Si kryetar bashkie ai ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Ujësjellësit të Shkodrës, një person me precedentë penalë, për paaftësi dhe sabotim të detyrës. Duhet shtuar këtu se edhe KLSH ka kërkuar shkarkimin e këtij drejtori për shkelje. Ky është SPAK-u, dhe këto janë shkeljet flagrante të ligjit që sheh opozita kur e denoncon atë, me fakte dhe prova. Por, qëllimi final është një: pengimi i opozitës në fushatën zgjedhore”, tha Boçi.
Spahia akuzohet nga SPAK për “pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës", parashikuar nga neni 320 i Kodit Penal. Mësohet se Spahia është kallëzuar nga shtetasi Mark Molla, i cili pretendon se ish-kryebashkiaku e ka shkarkuar nga detyra si drejtor i Ujësjellësit, pa pasur të drejtën për një veprim të tillë. (A2 Televizion)