Vokshi: Dje në protestë kanë qenë 120 mijë protestues, të pranishëm edhe ish-drejtorë të Veliajt

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2024, 20:41 | Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka deklaruar se protesta e një dite më parë është më e madhja që opozita ka realizuar ndonjëherë. E ftuar në emisionin Debat me Alba Alibashin, Vokshi ka thënë se në bazë të përllogaritjeve, dje në bulevard kanë qenë 120 mijë protestues.

“Nuk ka njeri që nuk e ka të qartë që opozita ka mbështetje, ishte përtej pritshmërive për mirë. Kisha besimin e plotë, nga struktura nga daljet në degë që do kishim numra të mëdhenj dhe tentonim të shkonim te një nga protestat më të mëdha, si protesta e 7 korrikut, kjo e djeshme, kishte 25% më shumë, ka pasur më shumë se 120 mijë në shesh”, tha Vokshi.



Duke e quajtur si protestë të qytetarëve, Vokshi shtoi se në Bulevard ka pasur ish-drejtorë të kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi thekson se kanë pasur arsye të forta për të protestuar.

“Kemi parë edhe ish-drejtor të Veliaj me familje që i kemi identifikuar, sepse kanë dalë ato që mund të mos i kemi kontaktuar direkt, por mesazhi ynë ka shkuar, dhe kushdo që ka pasur një arsye për të dalë dje ka pasur ditën për të dalë”, bëri me dije deputetja.

Sipas saj, në protestë u vërtetua që qytetarët e mbështesin opozitën e bashkuar, por edhe aksionin e saj, me protesta brenda dhe jashtë Kuvendit.

“Protesta e djeshme ka vërtetuar që opozita është në këmbë, që është më e fortë, që opozita e bashkuar është e mirëpritur, sepse qytetarët dolën për mesazhin e bashkimit të opozitës, por edhe frontit të opozitës dhe kanë përshëndetur dhe mbështetur dhe aksionin opozitar si brenda dhe jashtë parlamentit, në rrugën e Shpresës”, përfundoi Vokshi në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos