Vendimi i socialistëve në Komisionin e Ligjeve, për të shtrirë efektet e Amnistisë Penale edhe te zyrtarët e dënuar nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, solli reagimin e dy grupimeve të demokratëve që njoftuan tërheqjen e votave.
Lulzim Basha ishte i pari që deklaroi se me këtë lëvizje mazhoranca po prekte Reformën në Drejtësi.
“Është skandaloze që të përdorësh amnistinë penale e cila kryhet për arsye humanitare ndaj një kategorie të dënuarish për vepra të thjeshta që të nxjerrësh nga burgu po të anulosh hetimet për zyrtarët e korruptuar të Edi Ramës. Kjo nuk është asgjë më pak sesa një ndërhyrje tek gjyqësori apo tek reforma në drejtësi”, tha Basha.
Basha njoftoi se deputetët e tij nuk do të paraqiten fare në seancën e votimit të Amnistisë, si për të evituar çdo mundësi për rrjedhje votash, në kushtet kur mazhoranca e vetme nuk e plotëson dot shumicën e cilësuar prej 84 votash, që nevojitet për miratimin e draftit.
Edhe Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat pohoi se nuk do votojnë amnistinë penale. Pavarësisht dakordësisë në parim, e quajti procesin jo transparent, me qëllim shpëtimin nga dënimi të zyrtarëve të korruptuar.
“Amnistia është kthyer pa dyshim në një akt tërësisht jo transparent. Dy janë të vërtetat, asnjë deputet i grupit të PD nuk e ka votuar amnistinë gjatë diskutimit në komisionin e ligjeve, dhe vendimi i grupit është që në parlament vijon aksioni dhe pa u përmbushur kërkesat kushtetuese të deputetëve të opozitës nuk do të ketë normalitet në Kuvend”, tha Bardhi.
Bardhi i quajti të qëllimshme lajmet e shfaqura në disa media që ia faturonin deputetit demokrat Nallbati propozimin që lehtëson edhe zyrtarët e dënuar për korrupsion. Një informacion i rremë që sipas tij synonte të mbulonte autorin e vërtetë të amendamentit.
Bardhi denoncoi edhe një përpjekje të mazhorancës që sipas tij po tenton të krijojë një nënkomision parlamentar që do të auditojë institucionet, duke dubluar punën e organeve që kanë pikërisht këtë funksion si Kontrolli i Lartë i Shtetit. (A2 Televizion)