A ka të dhëna që lidhin vaksinën e fruthit me autizmin? Flet epidemiologu Ilir Alimehmeti

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2024, 18:38 | Sociale

“Fushata e vaksinimit, të jetë si fushata elektorale”, ky ishte propozimi interesant që mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti dha në studion e emisionit “Diagnozë” ku këtë të shtunë u fol për fruthin.

Nga vaksina e fruthit raportohet se më shumë se 56 milionë jetë kanë shpëtuar, kryesisht të fëmijëve të moshës 0-5 vjeç.

“Këtu jemi duke folur për jetë fëmijësh. Programi i vaksinimit ka shpëtuar rreth 56 milionë jetë në këto 20 vite dhe të shkojmë ta dëmtojmë këtë me duart tona, kjo është krejtësisht e gabuar. Mos harrojmë që nga këto 56 milionë jetë të shpëtuara, janë kryesisht fëmijë të moshës 0-5 vjeç.  Te një i pavaksinuar mundësia e infektimit është, në qoftë se është në kontakt me një person me fruth, është 90% dhe shkalla e sëmundjes së jetës është 1 deri në 3 për 1 mijë(fëmijë). Pra 0,1-0,3%. Dhe fatkeqësisht janë të gjitha vdekje dhe ndërlikime të evitueshme,” shpjegon mjeku.

Por, përse ka një mungesë të besimit midis qytetarëve dhe institucioneve shëndetësore, sidomos pas pandemisë së koronavirusit? Alimehmeti thotë se autoritetet gabuan në komunikimin që patën gjatë pandemisë.

“Ka një lidhje, jo direkte patjetër, është indirekte. Një sepse ajo vëmendja e madhe që iu kushtua Covid-it, do të thotë që iu hoq vëmendja nga element të tjerë shëndetësor, përfshirë këtu programet e vaksinimit ndaj fruthit. Njëri element dhe elementi i dytë, fatkeqësisht është komunikimi i gabuar që u bë për vaksinat e Covid-it. Nëse vaksina do të kishte bllokuar transmetueshmërinë e virusit, atëherë ishin bazat për ta bërë vaksinën e detyrueshme. Por ne e pamë shumë shpejt në shtetin e Izraelit që kjo nuk ndodhte. Kishte efekt të madh për sa i përket evitimit të formave të rënda. Sistemet e shëndetit publik dhe komuniteti kanë nevojë për besim të dyanshëm.”

Sipas epidemiologut, kjo gjuhë jo e saktë komunikimit të shkencës, për sa i përket vaksinave të Covid, është përgjithësuar edhe për vaksinat e tjera.

Dr. Ilir Alimehmeti shpjegoi në emisionin “Diagnozë” edhe sesi mund të parandalohet infektimi nëse fëmija vaksinohet në kohë.

“Ka teste fruthi, por fruthi është shumë i dukshëm. Në momentin që bëhet simptomatik fruthi është shumë i dukshëm, shumë i qartë. Megjithatë ka dhe kontakte dhe në rastin e kontakteve, këto mund të testohen. Kërkon mjeku, kërkon ISHP-ja testimet e tyre. Ndoshta ia vlen të shtojmë edhe diçka, nëse dikush ka qënë kontakt i një rasti të njohur, nëse vaksinohet brenda 72 orëve, pra tre ditëve nga kontakti me rastin e njohur, ka një vlerë të madhe. Vaksina e ndihmon.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos