Në javët e fundit është raportuar një rritje e rasteve më fruth në vend duke bërë që edhe prindërit të nxitojnë për t’ i vaksinuar të vegjlit e tyre.
Pikërisht për këtë sëmundje flasim këtë të shtunë në “Diagnozë” nga Freskida Miloti. Nga shenjat brenda gojës së fëmijës e deri te shenjat e dukshme trupore, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, përshkroi në studion e emisionit “Diagnozë” disa nga shenjat e fruthit si dhe moshën kur ato shfaqen më së shumti.
Dr. Alimehmeti shpjegon se fruthi është një sëmundje infektive që merret në rrugë ajrore.
“Ka një shfaqje më të fortë të njerëzit që janë të pavaksinuar. Kujtojmë fillimisht kush janë, janë foshnjat 0-1 vjeç, nuk kanë pasur asnjë mundësi për t’u vaksinuar. Fillojnë shfaqin temperaturë, fillon shfaqet një gjendje e përgjithshme jo e mirë, disa shenja që janë patognomike i quajmë ne. Pra i japin emrin sëmundjes. Disa shenja të bardha, brenda mukozës së faqeve, shenjat e Koplikut që ndodhen aty. E më pas fillon dhe shfaqet ai “rush-i” kutan. Fillon nga koka, vazhdon te supet, vazhdon te këmbët, edhe në këtë mënyrë edhe zhduket, duke vazhduar nga poshtë-lart zhdukja me kalimin e kohës. Shumë fëmijë fatmirësisht e kalojnë mirë,” shpjegon mjeku.
Fruthi është virusi më i transmetueshëm në historinë e njerëzimit. Por pse u harrua kjo sëmundje kaq e rëndësishme në Shqipëri, deri sa kaloi në shkallë epidemie?
Alimehmeti, tregon se OBSH paralajmëroi për kujdes të shtuar, por nuk u morën masat siç duhet.
“U bënë shumë vite që kemi ulje vaksinimi, nën normat që na sigurojnë neve sigurinë si kolektiv dhe nga krahu tjetër kemi rritje të rasteve, po me shifra shumë të mëdha. Që do të thotë, që në mars, prill, të 2022-shit, ne kemi një deklaratë të përbashkët të OBSH-së dhe UNICEF-it, që thonë janë krijuar konditat perfekte për të pasur epidemi të mëdha fruthi. Ne kemi këto sëmundje, e cila ka qenë sëmundje e harruar. Pse e harruam? E harruam për shkak të programit të vaksinimit të fruthit, i cili e vuri komplet, e bllokoi, i vuri një bllok sipër dhe kjo quhet tani sëmundje riemergjente, pra që po rishfaqet, nuk është sëmundje e re. Është thjesht virusi më i transmetueshëm që ne njohim në historinë e njerëzimit.” (A2 Televizion)