Fshati që mbeti toponim, Pusi i Thatë “përcjell” edhe banorin e fundit

Nga Ervin Mehmeti dhe Gazmend Janku
5 Janar 2024, 12:14 | Sociale

Ky peizazh me këtë natyrë të bukur dhe më këto banesa të gurta, dikur mbanin dhe ushqenin mbi 300 banorë të fshatit Pus i Thatë në qarkun e Kukësit.

Ndërsa sot ky fshat është totalisht i braktisur dhe ka mbetur i thatë edhe nga njerëzit. Ditët e fundit të vitit 2023 nga ky fshat është larguar edhe banori i fundit, Rizan Morina 46 vjeç, së bashku me familjen e tij prej 7 anëtarësh.

A2 e ka takuar Rizan teksa u rikthye në fshat për të marrë edhe gjërat e fundit nga banesa. Ai na tregon pamundësinë për të vijuar jetën në fshatin ku u lind, u rrit dhe krijoi familje.

Rrugë s’kishte, shkollë jo, mjekësi jo, uji ishte larg. Edhe puna e fëmijëve se shkolla ishte një orë e gjysmë në këmbë. Edhe atëherë u detyruam që ta lëmë fshatin, siç po e shihni.

Sado që mund të duket absurd, realitet është i tillë që deri në këto anë ngjiten turistë për ta banorë, ndërsa është braktisur nga banorët. I fundit prej tyre tregon se të paktën 70 për qind e banorëve të dikurshëm rikthehen nëse vihet dorë për kushtet minimale të jetesës.

Ky është një ndër vendet më të mira, vend turistik. Këtu kanë ardhur turista. Këtu ka qenë një vend me të gjitha mrekullitë, po të kishte rrugë, shkollë e energji elektrike këto shtëpi nuk do të ishin kështu të braktisura, po do të ishte plot. Një 70% që do të vijë këtu. Unë jam i pari, se unë këtu kam lindur.

Osman Kastrati është tjetër banor i larguar dhe herë pas here rikthehet në rrënojat e banesës që ka lënë. Ai tregon për shkollën ku ka mësuar shkrim e këndim dhe gjallërinë që ka pasur dikur fshati.

Po ju tregojmë, shkolla fillore ka qenë këtu dhe është braktis. Është braktis, s’ka gjë, s’ka asnjë sen. Asnjë njeri nuk jeton për momentin. Dy familje të fundit kanë ikur tani prej këtu. S’ka, është boshatis gjithçka. Ka pasur një farë lezeti, një farë kënaqësie këtu. Tani s’ka asgjë hiç. Të vjen gjynah me ardh, me kalu në këtë vend më.

Por Osmani na tregon edhe për sakrificën që bënin për të mbushur ujë tek i vetmi burim që kishin disa kilometra larg fshatit.

Tanimë fshati "Pus i Thatë" mund të thuhet me plot gojën që ka mbetur një toponim dhe një zonë elektorale me të paktën 300 votues, të cilët nuk dihet nëse do të votojnë më për fshatin e tyre apo për ata që u kanë premtuar me gënjeshtra ndër vite për t’u siguruar kushtet më minimale të jetesës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos