Për të parandaluar shfaqjen e kancerit të qafës së mitrës te gratë, Instituti i Shëndetit Publik nis fushatën e vaksinimit nga vajzat e reja. Duke filluar nga kjo javë, të gjitha vajzat e moshës 14 deri 20 vjeç kanë mundësi të kryejnë vaksinën katër valente të HPV, e cila siguron mbrojtje nga Human Papilloma, virusi shkaktar i kancerit.
Mbi 10 mijë doza vaksinë janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit për fushatën e vaksinimit ndaj HPV. Ky proces do të vijojë paralelisht më vaksinimin e detyruar te vajzat 13-vjeçare. Referuar vendeve të tjera që prej vitesh e aplikojnë këtë vaksinë, specialistët e ISHP i presin rezultatet e saj pas një dekade.
Fushata e vaksinimit ndaj HPV për grupmoshat 14 deri 20 vjeç do të shtrihet gjatë gjithë vitit 2024. Ndërsa për vajzat 13-vjeçare ajo është e detyruar dhe do të vijojë sipas kalendarit. Kjo vaksinë e re, vetëm me një dozë, e cila aplikohet prej një viti në vendin tonë ka një mbulesë vaksinale nga 80% deri në 100% sipas qyteteve. (A2 Televizion)