Rriten rastet me grip, 15 mijë të prekur në javë, kryeson Tirana

Nga Ornela Joti
17 Janar 2024, 14:59 | Sociale



Luhatjet e mëdha të temperaturave përkeqësojnë situatën gripale në vend. Mbi 15 mijë persona raportohen të prekur vetëm javën e fundit nga gripi AH1N1 dhe ai i tipit B. Sipas buletinit të Institutit të Shëndetit Publik kurba e infektimeve vetëm po rritet.

Javën e dytë te janarit janë rritur me 13% rastet e prekura nga gripi i stinës dhe thuajse në çdo grup-moshë. Pacientët  më të shpeshtë në qendrat shëndetësore apo urgjenca janë fëmijët dhe të moshuarit.

Edhe javën e dytë të janarit raportohet rritje e infektimeve tek moshat pediatrike, kryesisht tek fëmijët që frekuentojnë institucionet arsimore.

Mbi 400 urgjenca në ditë i drejtohen shërbimit të pediatrisë në QSUT, ku mbizotërojnë komplikacionet nga gripi apo mbivendosjet e infeksioneve respitarore.

Rritje e urgjencave dhe e shtrimeve në spital po raportohet edhe nga shërbimi infektiv dhe ai i spitalit “Shefqet Ndroqi”. Javën e fundit kanë kërkuar ndihmën e urgjencës mbi 120 pacientë në ditë nga të cilët 20 kanë patur nevojë për shtrim në spital.

Në këtë periudhë të dimrit dhe qarkullimit të infeksioneve respiratore Tirana kryeson për numrin më të lartë të rasteve me grip, ndjekur nga Gjirokastra dhe Durrësi. Ekspertët e institutit të shëndetit publik konfirmojnë se gripi i tipit A dhe B po dominon këtë periudhë ndaj Covid-19 dhe virozave të tjera në qarkullim. Rastet pritet të rriten dhe sipas ecurisë së kurbës piku i infektimeve nga gripi pritet të shënohet në fund të janarit, fillim të shkurtit.

Zyrtarisht  në vendin tonë vetëm një person ka gjetur vdekjen deri tani nga gripi sezonal. Ndërkohë  CDC, qendra për kontrollin  dhe parandalimin e sëmundjeve në SHBA thekson se vetëm për këtë sezon janë shtruar në spital  më probleme nga gripi 150 mijë persona dhe kanë humbur jetën nga gripi 9400 nga të cilat 40 vdekje kanë ndodhur në moshat pediatrike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos