130 raste me kancerin e qafës së mitrës çdo vit, kontrollet dhe vaksina parandalojnë sëmundjen

Nga Ornela Joti
21 Janar 2024, 14:37 | Sociale

130 gra diagnostikohen çdo vit me kancer të qafës së mitrës në vendin tonë, ku 39 humbin jetën prej tij. Por ndryshe nga çdo sëmundje tjetër tumorale, ky kancer është tërësisht i parandalueshëm. Kontrollet periodike dhe depistimet për Human Papilloma, virusin shkaktar të kancerit, mund të shmangin prekjen e grave nga kjo sëmundje.

Prej 5 vjetësh Instituti i Shëndetit Publik kryen depistime për HPV në moshat 40 deri 49 vjeç. Afro 14 mijë gra të kësaj grupmoshe e kryejnë këtë analizë dhe 6% e kanë rezultuar të prekur nga Human Papilloma Virus.

Por mjekët sqarojnë se pozitiviteti ndaj HPV nuk do të thotë prekje nga  kanceri. Drejtues të programit për depistimin kundër kancerit të qafës së mitrës propozojnë zgjerimin e fashës moshore për gratë që duhet të përfitojnë nga ky kontroll falas.

Nisja më herët e aktivitetit seksual tek të rinjtë i bënë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, ku një prej tyre  është  HPV, shkaktar për shfaqjen e kancerit të qafës së mitrës.

Ndërkohë  prej një viti në kalendarin e detyruar të vaksinimit i është futur vaksina kundër HPV e cila kryhet tek vajzat e moshës 13 vjeç. Ndërsa nga ky muaj pritet  të nisë fushata e vaksinimit për vajzat 14 deri 20 vjeç, e cila do të zgjasë 6 muaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos