Ky sezon gripi do të mbahet mend për agresivitetin e lartë të virusit dhe morinë e infeksioneve të tjera në qarkullim. Mjekët e cilësojnë një dimër shumë të vështirë për shkak të sëmundshmërisë së lartë që shkaktoi në popullatë dhe kohëzgjatjes së sëmundjes. Veçanërisht fëmijët kanë shfaqur më shumë komplikacione nga gripi apo dhe mbivendosje me virozat e tjera.
Edhe pse dimri është në ditët e fundit të tij, qarkullimi i gripit dhe virozave të tjera vijon të jetë i lartë. Nga qendrat shëndetësore, mjekët flasin për fluks të shtuar vizitash edhe në këtë periudhë.
Problematikë këtë vit ka qenë rikthimi i sëmundjes apo prekja më shumë se një herë nga gripi, duke shkaktuar pneumoni dhe komplikacione të tjera.
Edhe pse këtë javë ka një rënie të infeksioneve respiratore në të gjithë vendin, mjekët pediatër rekomandojnë qëndrimin në shtëpi për të gjithë ata fëmijë apo persona të prekur. Antibiotikët dhe çdo medikament tjetër nuk duhet përdorur pa këshillën e mjekut. Me fillimin e marsit, pritet ulje e kurbës së infektimeve nga gripi dhe vendin e tij e zënë alergjitë e pranverës. (A2 Televizion)