Ende pa mbushur një vit nga inaugurimi i saj, urgjenca e re e QSUT-së është jashtë funksioni. Zjarri i rënë në një nga dhomat e Radiologjisë në këtë godinë, ka pezulluar prej një jave trajtimin e rasteve që kërkojnë trajtim të menjëhershëm.
Të gjitha urgjencat që vijnë përmes 127, por edhe me mjetet e tyre private duhet të shmangin për një periudhe të pacaktuar vajtjen drejt QSUT. Pacientët me probleme kardiake, rastet urgjente kirurgjikale dhe interne, krahas problemeve të mushkërive, po trajtohen në spitalin Shefqet Ndroqi, në Ish-Sanatorium.
Drejtoresha Silva Bala thotë se pavarësisht rritjes së urgjencave, javën e fundit, ende nuk bëhet fjalë për ezaurim të kapaciteteve.
Ndërsa në spitalin universitar të Traumës, trajtohen urgjencat e kirurgjisë abdominale dhe hemoragjitë gastrointestinale, krahas punës së specifikës me traumat në këtë spital.
Drejtoresha Edlira Bode flet për trajtimin e 220 rasteve urgjente në ditë, afërisht nga piku i punës nga traumat gjatë muajve të verës.
Nuk dihet edhe për sa kohë urgjenca e re e QSUT do të jetë jashtë funksioni. Ndërsa drejtues të saj thonë se situata po menaxhohet me mbështetjen e spitaleve të tjera universitare. (A2 Televizion)