38 vite më bagëtitë, të mbijetosh aty ku të tjerët braktisin vendin

Nga Ervin Mehmeti dhe Gazmend Janku
16 Shkurt 2024, 11:16 | Sociale

Tufa me bagëti të imëta sheh gjithnjë e më rrallë në fshatrat e Kukësit, që dikur ishin të mbushur si me blegtori, ashtu edhe me bujqësi. E veçanërisht fshati Nangë, që dikur furnizonte të paktën 9 fshatra të tjerë përreth me produkte bulmeti dhe drithëra.

Por, sot shpopullimi dhe mungesa e kushteve ka bërë që ky fshat të mbetet i shkretë. Ekrem Onuzi është nga të vetmit blegtorë që ka mbetur në këtë fshat që vijon të mbarështojë bagëti. Dhe me pak fjalë të përshkruan gjendjen në fshatin e tij: “Të rinjtë kanë ikur në emigrim dhe ka mbetur vetëm mosha e tretë. Çfarë të bëjnë këtu? Të merren me tokën apo lopën? Toka është lënë djerrë, presim të na vijë uji. Nuk ia vlen”.

Ndonëse nga të fundit, Ekremit duket se i ka buzëqeshur fati nga njëra anë. Por, nga ana tjetër, kjo buzëqeshje është frut edhe i mundit dhe përkushtimit të tij për tufën e deleve për afro 4 dekada.

Si një person që ka mundur të mbijetojë aty ku të tjerët kanë zgjedhur të ikin dhe të braktisin gjithçka, edhe Ekremi nuk duket shumë optimist, të paktën nëse nuk sigurohet një nga elementet kryesore të zhvillimit të jetës në fshat.

Nëse duam që ato pak njerëz që kanë mbetur në fshatra si Ekremi të mos largohen, atëherë autoritetet duhet të sigurojnë kushtet minimale që ata të punojnë tokën dhe të rrisin bagëtitë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë