Kjo godinë afro 100-vjeçare e ndërtuar që në në kohën e luftës nga ushtria italiane, në lagjen Gërhot të Gjirokastrës, sot nuk është e denjë as si relike. Por si për ironi të fatit, ajo është banesa e familjes Zani, e përbërë nga tre anëtarë, të cilët nën këtë gërmadhe, përpiqen të mbijetojnë.
Çfarë bie dhe fryn jashtë, bie dhe fryn edhe brenda. Familjarët me legenë e tepsi dhe me çdo enë të mundshme përpiqen të presin pikat e ujit, që kullojnë gjithandej. Nuk do shumë inspektim që të kuptosh që brenda këtyre mureve nuk mund të jetohet.
Por familja Zani duket se po sfidon këtë konstatim, me shpresën se të paktën pushteti vendor do ti japë ndonjë zgjidhje.
Edhe pse një grup nga Emergjencat Civile të Bashkisë Gjirokastër ka inspektuar godinën në fjalë dhe ka dalë në përfundimin se banesa është tërësisht e pabanueshme e madje e rrezikshme për të qëndruar në të, sërish kjo familje nuk ka përfituar as bonusin e qerasë dhe as nuk janë transferuar në një ambient tjetër më të sigurt. (A2 Televizion)