Gjirokastra e UNESCO-s tashmë njihet dhe vizitohet nga disa qindra mijëra vizitorë të huaj përgjatë gjithë vitit. Por sado që mund të duket paradoks, është e vërtetë, që pikat turistike të qytetit të kalldrëmeve dhe shtëpive karakteristike ende nuk e kanë vizituar dhe aq më pak shijuar edhe Gjirokastritët.
Bëhet fjalë për personat me aftësi të kufizuara, të cilët nuk kanë asnjë mundësi të vizitojnë as Qafën e Pazarit pa përmendur këtu kalanë, apo shtëpitë muze.
“T’iu them njëherë si qytetare e thjeshtë e këtij qyteti, e kam të pamundur të marr pjesë kur bëhen festivalet. E kam të pamundur të marrë pjesë në aktivitetet që bëhen në kinema, jam e përjashtuar nga të gjitha ato aktivitete që bëhen në Qafën e Pazarit. Me keqardhje ju them se nuk kam pasur mundësi të ndjekë asnjë nga këto aktivitete në mënyrë të pavarur, se po kërkova ndihmë do vete”, tha Vjollca Koko, mjeke me status PAK.
Keqardhjen që ndjen për veten, Vjollca e ka ndjerë edhe për turistët që kanë ardhur me karrocat e tyre me shpresën për të shijuar bukuritë e qytetit.
“Kam parë një turiste dhe vërtetë u ndjeva shumë mirë që po kalonte me karrocë në këto segmentet e trotuareve që ishin të aksesueshëm, por me mendjen time i qava hallin se në ç’hotel do ishte sistemuar, ose si do vejë të vizitojë shtëpinë e Kadaresë, si do vejë të vizitojë kalanë.”
Pavarësisht detyrimeve që kanë institucionet lokale dhe ato private për të ndërtuar rampa, dhe takimeve që kanë bërë personat me aftësi të kufizuara, ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga ana e bashkisë e cila minimalisht duhet të tregojë shembullin e saj për këtë shtresë ndërsa pritet që të kontrollojë dhe detyrojë edhe sipërmarrjet private që të krijojnë akses për personat me aftësi të kufizuara. (A2 Televizion)