Drafti për shëndetin seksual dhe riprodhues ka shumë probleme. Kështu u shpreh në studion e Ditarit me Denisa Pashollin, mjeku Astrit Bimbashi, i cili edhe pse është pro këtij ligji, rendit problematikat dhe thekson se grupi i mjekëve do të japë alternativën e tij për të para miratimit në parlament. Sipas tij, ky është një projektligj i vakët dhe i bazuar mbi interesa e të vogla që do të na kthehen në bumerang.
“Brenda këtij ligji, kemi shumë probleme të mëdha. Deri tani, kemi punuar të gjithë në një sistem të paligjshëm dhe ardhja e një ligji për terapinë e riprodhimit të asistuar na kënaq, por nuk mundet që këto nene të përfshihen në shëndetin riprodhues. Shëndeti riprodhues është historia miliona vjeçare e krijimit të qenies njerëzore. Në konferencën e Kajros në ‘94 u vendos që gruaja nuk është numër, por qenie që duhet ta trajtojmë ndryshe dhe bazuar mbi këtë bëmë ligjet në 2002. Ligjet nuk kanë sens me njëra-tjetrën. Nuk kemi asgjë kundra ligjit të terapisë së prodhimit të asistuar, por ky është i vakët, është bërë bazuar mbi interesa lokaliste të vogla që do të na kthehen në bumerang pas shumë kohësh”.
Duke sjellë në vëmendje ligjin aktual, ai thotë se ligji për shëndetin riprodhues duhet ndarë nga ai seksual. Sipas Bimbashit, ligji riprodhues duhet bërë në shërbim të nënës dhe mjekëve.
“Këto ligje duhet të ndahen nga njëri-tjetri, shëndeti riprodhues nënkupton një grua në riprodhim. Ta marrësh një ligj më 17 faqe dhe 7 vetëm për terapinë e riprodhimit të asistuar është që ta çosh aty ku kanë interesa ca njerëz. Nuk është konsultuar fare me grupet e interesit, se i kemi pyetur të gjithë. Unë merrem vetë me fertilizimin in vitro. Të gjithë ne mjekët kemi një qëllim; të bëjmë ligj për shëndetin riprodhues që është në shërbim të nënës dhe fëmijës, por edhe në shërbim të mjekëve që të mbrohen nga ato klauzola për të cilën janë në prokurori sot. Çdo shtet ka ligjet e veta. Në nenin 3 kemi 28 pika nga të cilat 24 janë për terapinë e ripordhimit të asistuar. Uën do të doja që ky ligj të ishte më i mirë”.
I pyetur nëse është gati shoqëria jonë për të sjellë fëmijë përmes nënave surrogate, ai thotë se kjo ka ndodhur 5-6 vjet më parë në klinikën e tij.
“Absolutisht po. Fëmija është dhuratë e zotit. Por krijimi është dhuratë e zotit dhe duhet ta inkurajojmë gjithmonë pavarësisht si vjen. Unë kam bërë. Një vajzë 22 vjeçe që i kishim hequr mitrën, ia mbajti e ëma që ishte 48 vjeç. Kjo ka ndodhur 5-6 vjet më parë dhe bëri bujë në atë kohë”.
Me rezerva foli edhe për pjesën që i takon adoleshentëve, sipas të cilit ata që kanë bërë ligjin nuk njohin ligjet e bëra më parë.
“Kjo është çështje teknike dhe kjo pikë është ekzagjeruar. Grupi që ka bërë ligjet kam përshtypjen se nuk i njeh ligjet që janë bërë deri më sot. Nuk kuptojnë se çfarë kanë shkruar se këto ligje, janë shkruar kohë më parë”.
(A2 Televizion)