Sondazh: Sipas jush, brezi më i lumtur është:
  • X (1960-1980) 33%
  • Millenials (1981-1996) 56%
  • Z (1997-2011) 11%
  • Alpha (2012-2025) 0%

Majmuni Kiko bën për ujë të ftohtë çakallin që desantoi në Tiranë

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2024, 12:15 | Sociale

Majmuni Kiko bën për ujë të ftohtë çakallin

I shqetësuar nga lajmi se një çakall vendosi të jetojë në xhunglën urbane të Tiranës, Majmuni Kiko e la punën (numërimin e turistëve) në Sarandë dhe e mbajti frymën në kopshtin zoologjik në kryeqytet.

Nga pamja që kishte në fytyrë dukej se Çakalli e kishte kuptuar se kishte konsumuar gabimin më të madh të jetës, por sërish Kiko u tregua i pamëshirshëm me pyetje që i jepte vetë përgjigje dhe si të mos mjaftonte përgjigja i ngjishte nga pas edhe një këshillë!

Çfarë të sëmës deshe në Tiranë, i dashur çakall?

Është e vërtetë se jeta e natës në Tiranë është e egër, por jo për egërsira me katër këmbë.

Këshillë: Nëse do që të jetosh gjatë shmangi egërsirat me dy këmbë. A nuk ke dëgjuar që “njeriu për njeriun është ujk"?

Pse u shfaqe mes Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Muzeut Kombëtar?

I dashur mik, vendi i duhur për një egërsirë në atë vend është godina e Parlamentit dhe e qeverisë.

Këshillë: Shfaqja jote dramatike në TOB bëri shumë përshtypje. Sipas lajmeve mora vesh që ishe për audicion. Qëndro larg skenës.  Skena është sport i rëndë. A nuk e ke parë dykëmbëshit sa bukur aktrojnë?

"Po kërkoje Wi-Fi falas, apo jo? - - -Besomë, xhungla ka lidhje më të mirë. E  ke parë si rrjetëzohen 'zogjtë dhe bletët'? Përsosmëri."

Këshillë: Po u fute në xhunglën njerëzore luani do të duket  si mace shtëpiake.

- Dëgjova se po kërkoje kafen e mëngjesit apo jo?

- A nuk është vesa e mëngjesit në pyll mjaftueshëm organike për shijen tënde?"

Këshillë: Ngulite në kokë "Ngule në kokë, në qytet, ti nuk je në krye të zinxhirit ushqimor. Mund të përfundosh lehtësisht në pjatën e ndonjë restoranti që reklamon “Mish të egër bio, financuar nga fondet IPARD të BE-së”.

Ke nisur të bësh kurioz për botën njerëzore? Mos! Mos o trim.

Këshilla ime: Qëndro më mirë tek thashethemet e kafshëve. Janë më pak, ziliqare dhe depresive dhe ku e ku më argëtuese."

T’u mërzit jeta në pyll dhe doje të nisje një jetë të re si influencer në rrjete sociale?  Ndërro mendje sa nuk është vonë.

Këshillë: Në xhunglën urbane sa më pak të shfaqesh aq më i sigurte je. Nga rrjetet sociale dykëmbëshat kanë nisur t’i hapin gropën njeri - tjetrit.

Doje vetëm të provoje se si është jeta urbane në Tiranë?

Seriozisht? A i ke parë sa kanë shkuar çmimet e qirave?

Këshillë: Mos u impresiono nga pamja e jashtme, ndryshe do të përfundosh si iriqi që u marros pas një gjembaçe me ngjyra që në fund të ditës i rezultoi se ishte një furçe!

Pse budalla jam unë që rri larg Metropolit?!- tha Kiko dhe befas e vuri çakallin me shpatulla pas murit të ftohtë të kopshtit zoologjik.

A e di pse të kanë futur në kafaz? A e di që ke futur veten në rrezik duke shkuar diku ku janë superçakenj.

Këshillë: Të kanë parë si konkurrent mor i gjorë dhe në Shqipëri nuk para e kanë qejf konkurrencën e ndershme. Por prit se kjo histori nuk ka mbaruar. Do të bëhet një tender për ty çakall, sikur të kanë blerë në Afrikë apo Azi dhe të kanë sjellë në Shqipëri me çarter! Ky do të jetë varianti që do të thotë qeveria dhe gjithë televizionet që e mbështesin partinë, ndërsa faktin që t'i erdhe me katër këmbët e tua në Tiranë do ta quajnë fake news dhe teori konspirative. Do të bëhesh i famshëm o çakall se një muaj do të merren me ty analistët.

A e di çfarë do të thonë?

Do të thonë se ke lidhje me iranianët. Çakall etinologjikisht rrjedh nga persishtja shagal, ulëritësi. Këtu bëhesh i dyshimtë dhe kërcënim për sigurinë kibernetike!

E pe sa shpejt të identifikuan, të lokalizuan, të  arrestuan dhe të izoluan? Nënvleftësove shprehjen “vetëm lugati e njeh vampirin”. Por ka shpresë: Siç themi ne majmunët, çakalli çakallit i han mishin, por kockën ia ruan.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani