Matematika ishte provimi i parafundit për 26 mijë maturantë në të gjithë vendin. Për dy orë e gjysmë, ata janë përpjekur t'u japin zgjidhje ushtrimeve dhe problemeve të rëna në testim. Vetëm pasi kanë lënë ambientet e provimit, ata tregojnë për vështirësinë e tezës dhe për pyetjet që nuk arritën t'u shkonin deri në fund, pasi matematika nuk është një provim i thjeshtë.
Gjatë provimit të matematikës nuk pati rrjedhje të tezës në rrjetet sociale. Ministrja Mirela Kumbaro vlerësoi punën e administratorëve në 144 qendra provimi, ndërsa deklaroi se dy maturantë u përjashtuan nga provimi pasi tentuan të përdornin telefonat, shkruan A2 CNN.
Edhe në provimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, një maturant nga Kukësi u përjashtua nga Matura Shtetërore pasi përdori telefonin dhe publikoi tezën në rrjetet sociale. Sipas ministrisë, identifikimi u arrit me ndihmën e një mekanizmi gjurmimi që u aplikua për herë të parë këtë vit.
Tashmë, provimet e matematikës pritet t'i nënshtrohen korrigjimit, ndërsa pas dy ditësh do të publikohen rezultatet e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Më 23 qershor zhvillohet provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje. (A2 Televizion)