Pjesa më e madhe e studentëve që ndjekin sot degët e mësuesisë kanë qenë nxënësit më të dobët në shkollë të mesme. Ky fakt pranohet nga pedagogët, të cilët me keqardhje flasin për nivelin shumë të dobët të mësuesve të ardhshëm.
Shezai Rrokaj, përgjegjësi i Departamentit të Gjuhësisë, tregon për A2 CNN se si ndihet në auditor kur shumica e studentëve jo vetëm nuk kanë interes për mësimin, por as e kuptojnë çfarë shpjegohet: “Zverdhem, trishtohem jashtëzakonisht. Nivel i jashtëzakonshëm, shumë i ulët. Nuk janë të interesuar. Në një auditor prej 100 studentësh, vetëm 1-15 shfaqin interes, të tjerët vegjetojnë. Nuk di a më kuptojnë kur shpjegoj. Sot, 20% e atyre që zgjedhin mësuesinë kanë qenë maturantë më të dobët”.
Gjuhëtari Rrokaj thotë se emergjenca në arsim mund të zgjidhet vetëm përmes politikave dhe rerfomave rrënjësore, ku një prej tyre është vendosja e mësuesit në krye të piramidës së pagave. Kriza shumëvjeçare në arsim dhe rezultatet e dobëta që vijnë edhe nga testimet ndërkombëtare detyruan Ministrinë e Arsimit të ndërmarrë një proces për trajnimin e arsimtarëve në sistem.
Universitetet publike do të mësojnë edhe një herë ish-studentët e tyre për njohuritë në lëndën që ata japin mësim në shkolla. Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin Filologjik po përgatit grupet e trajnimit për të gjithë mësuesit e Drejtorisë Arsimore të Tiranës dhe Durrësit.
Trajnimi i afro 4000 mësuesve të arsimit fillor dhe atij të mesëm do të nisë në muajin mars. Nuk dihet se sa do të shërbejë ky proces për ndryshimin e situatës dhe cilësisë në shkolla e për më tepër për kthimin e “mësuesisë” në profesionin e dëshiruar.
(A2 Televizion)